E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë masë mbrojtëse gjatë marrëdhënieve

GJIROKASTËR – Të rinjtë e qytetit të Gjirokastrës kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura. 

Sipas një sondazhi të kryer nga Shërbimi i Promocionit Shëndetësor në Gjirokastër tek të rinjtë e shkollave të mesme për këtë çështje, përfundimet kanë treguar se afro 20 për qind e të rinjve gjimnazistë gjirokastritë kryejnë marrëdhënie seksuale dhe vetëm 10 për qind e tyre përdorin masa mbrojtëse. Sondazhi i kryer në formën e anketimeve në rreth 400 gjimnazistë, në anonimat të plotë, në një periudhë tre mujore ka për qëllim të sensibilizojë këtë moshë rreth rrezikut që mbart prekja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. “Të dhënat e sondazhit tregojnë fakte mjaft interesante”, është shprehur mjeku Laver Stroka, njëri prej personave që ka bërë sondazhin. “Ajo që mundet të konsiderohet shqetësuese është se mjaft të rinj, në fletë-anketimet e mbushura, figuronin të ishin aktivë në marrëdhënie seksuale që në moshën 13-14-vjeçare, duke mos përdorur masa mbrojtëse”, ka pohuar ai. “Deri tani, në qendrën e analizave të gjakut pranë spitalit të Gjirokastrës, nuk është shënuar ndonjë rast i infektuar me virusin HIV”, bëjnë të ditur burime nga kjo qendër, megjithëse analizat diagnostikuese dhe mjetet nuk mungojnë.                                       p.n.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›