E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, telekomi transparencë impulseve që harxhojnë qytetarët

SHKODER – Abonentët e “Albtelekom” në qytetin e Shkodrës do të marrin fatura analitike, ku do të përcaktohen në mënyrë të 

detajuar shpenzimet për të gjitha thirrjet e regjistruara. Lajmi është bërë i ditur dje nga drejtori i filialit të ‘Albtelekom’ në Shkodër, Sabri Bushati. Ky shërbim do të mundësohet prej investimit në ngritjen e një terminali të ri në telekomin e Shkodrës. Prononcimi i Bushatit ka ardhur pas shqetësimit të banorëve për pamundësinë e matjeve të impulseve të telefonisë fikse. Që prej një muaji, abonentët kanë konstatuar se nuk mund të matin shpenzimet e tyre për thirrjet e bëra. Ata janë ankuar pranë Drejtorisë së Albtelekomit, duke thënë se një anomali e tillë mund të bëhet qëllimisht dhe se kanë frikë se në fund të muajit mund të marrin fatura “të kripura” dhe që nuk u mban xhepi i tyre i varfër. “Pamundësia e matjes së impulsive të harxhuara në telefonin fiks është diçka provizore”, ka pohuar Bushati. Sipas tij, ndërprerja e përkohshme e matjes së impulseve së kësaj telefonie ka ardhur për faktin se aktualisht po punohet për instalimin e një terminali të ri. “Ne investimin që po bëjmë, abonentët do të marrin fatura analitike, të cilat japin informacion të saktë deri në tre muaj pas ditës që kërkohet ky informacion. Pas 3 muajve, këto të dhëna fshihen, pasi nuk mund të ruhen”, ka përfunduar ai.  r.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›