E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtje për gjyqtarët dhe prokurorët e bandës së Durrësit

Gjykata ka caktuar
mbrojtje të veçantë për
prokurorët e Lul Berishës
dhe Indrit Dokles.
Me një vendim gjykate, forcat
speciale të policisë janë angazhuar
për mbrojtjen fizike edhe të pesë
anëtarëve të trupit gjykues, të cilët
prej dy vjetësh po mundohen të
fillojnë shqyrtimin gjyqësor për 16
anëtarët e së ashtuquajturës Banda
e Durrësit. Gjatë këtij harku
kohor, të pandehurit, duke u ndihmuar
edhe nga mbrojtësit ligjorë,
kanë arritur të shmangin dëshminë
e të penduarit Adriatik Coli, i
cili, me rrëfimet e tij, ka futur në
qeli pjesën më të madhe të tyre. Si
strategji kanë përdorur mungesat
e avokatëve, ku rrotacioni është
kryer më së miri, si një orë zvicerane.
Edhe dje, kur ishte planifikuar
seanca e 80, avokati i Lulzim
Berishës i kërkoi trupit gjykues më
shumë kohë për t‘u njohur me
dosjen, pasi është caktuar vetëm
në ditët e fundit si mbrojtësi i ri ligjor
i kapobandës. Dje është vendosur
që të gjitha seancat gjyqësore
në vazhdim të zhvillohen pa
prezencën e mediave, pasi
anëtarët e bandës transmetonin
mesazhe kërcënuese nëpërmjet
mediave elektronike dhe të shkruara.
Megjithëse kjo nuk është përmendur
në vendimin e ndërmjetëm
të gjykatës, Kolegji Penal,
duke dashur të zhvillojë për herë
të parë seancën gjyqësore, ia ka
hedhur një pjesë të fajit prezencës
së medias në sallë. Megjithatë,
edhe seanca e djeshme ka dështuar,
ndërsa në sallën e gjyqit mungonin
përfaqësuesit e mediave.
Mbrojtja fizike
Dy prokurorët e çështjes, Anton
Martini dhe Behar Dibra, janë shoqëruar
nga forcat speciale të sho-
qërimit për në gjykatë. Burime
nga Prokuroria e Përgjithshme
thanë se janë marrë masa për sigurimin
e jetës të përfaqësuesve të
akuzës, pas kërcënimeve një javë
më parë nga anëtarët e bandës së
Durrësit. Gjatë gjithë kohës, përfaqësuesit
e prokurorisë do të
shoqërohen nga të paktën dy
"truproja" deri në një vendim të
dytë të Ministrisë së Drejtësisë.
Krahas prokurorëve, të cilët prej
më shumë se tre vjetësh kanë filluar
hetimet për krimet e bandave
në Durrës, mbrojtje të veçantë do
të kenë edhe anëtarët e trupit
gjykues, i cili kryesohet nga gjyqtari
Gurali Brahimllari. Një seancë
më parë, dy kapobandat e qytetit
të Durrësit, Lulzim Berisha dhe
Indrit Dokle, që janë sjellë prej dy
vitesh për gjykim në Gjykatën e
Krimeve të Rënda, përjashtuan
avokatët e tyre, gjatë kohës që në
seancë po dëshmonte i penduari
Adriatik Coli. Kaq ka mjaftuar që
ndërmjet palëve të nisin
kërcënimet. Gjyqtarët ishin përgatitur
që seanca të zhvillohej me
avokatë të caktuar kryesisht. Në
këtë moment ka ndërhyrë Indrit
Taullaj, i pandehur, anëtar i
bandës, duke deklaruar: "Do ta
shihni, në rast se më jepni një
avokat që nuk e dua". Në këtë moment,
trupi gjykues ka ndërprerë
seancën, duke i dërguar Ministrisë
së Drejtësisë dhe Prokurorisë së
Përgjithshme kërkesat për përjashtimin
e avokatëve dhe
prokurorit. Në fund nuk kanë
munguar as "kërcënimet" e të
penduarit, të cilat i janë adresuar
avokatëve. "Vazhdoni të mos vini
në proces, se plumbin do të hani",
i ka paralajmëruar Coli ata.
Shpenzimet për gjyqin
Gjyqi ndaj bandës së Durrësit
ka dështuar dje për të 80-n herë.
Për gati dy vjet, çdo të enjte, mbi
50 forca të "Briskut" sjellin në sallë
të pandehurit dhe bashkëpunëtorin
e drejtësisë, Adriatik Coli, por,
pavarësisht masave dhe kostos,
drejtësia deri më tani nuk ka arritur
të dëgjojë dëshminë e tij. Edhe
atëherë kur Gjykata e Krimeve të
Rënda arriti t‘i mblidhte në seancë
të gjithë avokatët e asaj që
prokuroria e quan si "Banda e Durrësit",
sërish gjyqi dështoi. Tashmë
drejtësia shqiptare po numëron
kostot e këtij procesi. Mësohet se
shpenzimet për sjelljen e të penduarit
janë të mëdha. Duke pasur
në konsideratë një hakmarrje ndaj
Colit, qindra efektivë përgatisin
çdo të enjte sjelljen e tij në gjykatë,
duke ndryshuar shpeshherë itinerarin
e rrugëve si dhe automjetet
e transportimit. Gjithçka ka një
kosto. Ministria e Brendshme përballon
shpenzimet për këto raste
me Zyrën për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.
Humbjet llogariten në qindra
miliona lekë. Krahas Ministrisë
së Mbrojtjes, humbje ka edhe
Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka
më shumë se dy vjet që kërkon
zhvillimin normal të gjyqit. Kostove
të mësipërme duhet t‘u shtohen
edhe shpenzimet për një seancë
gjyqësore që kapin shifrën e
50 mijë lekëve të reja, duke llogaritur
gjykatësit, asistentët, letrat,
karburantin, si dhe avokatët e caktuar
kryesisht, të cilët përfitojnë në
një seancë të vetme nga dy mijë
deri në pesë mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›