E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Asnjë pacient në spital pa rekomandim”

 

Asnjë pacient nuk do të paraqitet në spital, nëse nuk ka rekomandim nga mjeku i familjes. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaroi dje se reforma në shëndetësi synon të orientojë pacientët në mënyrë që të marrin një shërbim më cilësor dhe më të lirë. Këtë duke mos e përqendruar atë vetëm në spitale, por edhe në poliklinikat e lagjeve. Gjithçka u bë me dije gjatë konferencës “Mbrojtja social-shëndetësore” e organizuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) dhe Bashkëpunimi Teknik Gjerman (GTZ). “Natyrisht sfida kryesore dhe qëllimi final i të gjithë përpjekjeve të përbashkëta duhet të mbetet ofrimi i shërbimeve të aksesueshme cilësore, duke futur këtu të gjitha masat politike, institucionale, organizative e strukturore, jo vetëm duke zgjeruar mbulimin e skemës së sigurimeve, por duke i dhënë një kosto reale, për shërbime reale”, tha Vasili. Ndërsa drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana paralajmëroi se për ato spitale që do të pranojnë pacientë pa rekomandime do të ketë masa ndëshkimore, çka i rrezikon atyre përfitimet nga ISKSH. “Ne jemi në një proces që po përmbyllim depistimin e personave në të gjithë republikën, në mënyrë që të dihet se cili mjek është përgjegjës për cilët persona, duke lejuar dhe zgjedhjen e lirë të mjekut. Në përmbyllje të këtij procesi patjetër që presim që mjeku i familjes të përzgjidhet gjithnjë e më shumë”, tha Hana. Sakaq ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili raportoi dje edhe në komisionin parlamentar për reformat e pritshme në shëndetësi. Një pikë e fortë do të jetë dhe tregu farmaceutik përfshirë rritjen e cilësisë së barnave. “Një objektiv që ne kemi vënë dhe do ta realizojmë pa diskutim dhe është i domosdoshëm, tashmë i munguar prej kohësh, është ngritja e strukturave të farmakovigjilencës. Do të thotë ç’ndodh në tregun farmaceutik realisht. Jo thjesht dhe vetëm që a është një kuti e paregjistruar në farmacitë tona, po dhe ato barna tashme të regjistruara, a kanë të njëjtën cilësi edhe pas regjistrimit”, tha Vasili. Ministri ka paralajmëruar kontrolle intensive dhe të herëpashershme në spitale, në kuadër të luftës kundër korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›