Asnjë përgjigje për Bleonën e zhdukur
Familja Mata në Zapod jeton në ankthin e humbjes misterioze të së bijës që prej një muaji. Strukturat e policisë dhe hetuesit e prokurorisë nuk kanë ende asnjë sinjal për Bleonën 6 vjeçe, e cila, sipas familjarëve, një ditë me diell u “mashtrua” të shkonte në mal dhe nuk u kthye më. Zeneli, gjyshi i vogëlushes, tregon se të gjithë familjarët jetojnë me ankthin e tmerrshëm të pritjes së një lajmi për të, por deri tani ai ka munguar. Në Zapod tashmë as policia nuk ngjitet më siç ndodhi për tri javë rresht, ku çdo ditë kryente kërkime në bjeshkët e larta. Gjyshërit Zeneli dhe Saidja, prindërit Bukuria dhe Zamiri, si dhe xhaxhallarët presin me padurim një telefonatë nga kushdo që mund t’u japë një të dhënë për gjetjen e Bleonës. Por ata thonë se kanë marrë vetëm telefonata solidariteti, telefonata nga njerëz që kanë shprehur dhimbje për humbjen e vajzës dhe që solidarizohen me familjen. Familjarët tregojnë se qëndrimi pezull është torturues për ta, pasi nuk dinë nëse vajza është gjallë apo ka vdekur. “Pothuajse të gjithëve na e ndien zemra se Bleona mund të jetë gjallë, por asgjë të saktë nuk dimë, asnjë shenjë nuk na jep kush, që të kërkojmë diçka në këmbim të saj”, tha Saidja, duke shtuar se shtëpia Mata është e gatshme të negociojë për të pasur në gjirin e vet Bleonën e vogël. “Për çfarë mund të negociohet? Për lekë, p.sh., ka vënë edhe shteti në dispozicion kush na e gjen, por edhe ne vetë japim, shesim shtëpinë dhe paguajmë, shesim edhe lopët. E nëse duan organe të trupit si veshka etj., edhe këto jemi gati t’i japim veç Bleona të na kthehet”, shtoi Saidja. Xhaxhai i Bleonës, Gramozi, ruan një kujtim shumë të veçantë dhe të shtrenjtë. Pak ditë para se të zhdukej Bleona kishte recituar një vjershë të kopshtit, duke dhënë për familjen shfaqjen e radhës, siç tregojnë familjarët. Kështu Gramozi, në një nga “shfaqjet” e Bleonës në familje, ka regjistruar në celular vjershën “O moj Nëna Shqipëri”. Sipas familjarëve, vajza recitonte shumë bukur, në shqip dhe në italisht. Ky regjistrim është zëri dhe mesazhi i fundit i vogëlushes Bleona, është thirrja e fundit e saj drejtuar Shqipërisë, e cila siç duket nuk po bën sa duhet dhe sa ka merituar Bleona. “Ku jam unë, ku je ti, o moj Nëna Shqipëri”. Gramozi thotë se regjistrimi ka qenë një rastësi, për faktin se ka qenë një gjë shumë e bukur dhe se Bleona ka recituar edhe vjersha të tjera me pasion dhe energji. Madje, gjyshja arrin deri atje sa edhe incidentin e dimrit, kur Bleona ishte djegur lehtë në stufën e druve, ia dedikon një shfaqjeje që Bleona kishte dhënën për familjen, siç bëjnë zakonisht fëmijët e kësaj moshe. “Ndoshta e morëm më sysh, recitonte dhe imitonte shumë bukur”, thotë Saidja. Po mbushet një muaj nga mungesa e Bleonës në familje. Të rriturit tregojnë se mungesën e Bleonës e ka ndier aq shumë edhe Armendi, djali i vogël 4-vjeçar. “Ndoshta kur të rritet ai edhe mund të harrojë, por sot po e kërkon me këmbëngulje, i kanë mbetur sytë nga rruga, shkojmë ta marrim Bleonën, dua Bleonën, qan djali im i vogël çdo ditë, e kemi të vështirë ta vëmë në gjumë, fle vetëm kur lodhet prej lotëve”, tregon Bukuria për djalin e saj 4 vjeç, Armendin. Në të vërtetë edhe të rriturit thonë se “na mbetën sytë nga rruga, nuk kemi më qetësi, shohim se ndoshta mund të shfaqet Bleona”. Këtë e dëgjon edhe nga disa fëmijë adoleshentë të fisit Mata. Ndoshta edhe vetë Bleona vazhdon të thërrasë si engjëll: “O moj Nëna Shqipëri...”
#