Foshnja e braktisur, nëna dyshohet të jetë nga rrethinat e Pogradecit
Një ditë pas gjetjes së foshnjës në një kazan plehrash në qytetin e Pogradecit, policia dyshon se prindërit që e kanë braktisur mund të jenë nga rrethinat. Burime nga radhët e uniformave blu i thanë gazetës se foshnja mund të jetë sjellë nga fshatrat aty afër. Në këtë përfundim është arritur, sepse vitet e fundit janë zbuluar raste të tilla, dhe nëna nuk ka rezultuar të jetë banore e qytetit, por nga zonat përreth për të humbur gjurmët. Foshnja që u gjet në kazan nga një pastruese, sipas policisë, dyshohet se nuk është lindur në këtë qytet. Nga verifikimet e kryera edhe në maternitetin e qytetit nuk ka rezultuar të ketë lindje natyrale në mjediset e këtij spitali, që të përkojë me moshën e foshnjës. Policia lokale ka bërë të ditur se ashtu si edhe në rastin e parë kur një foshnjë e seksit mashkull u gjet e vdekur, edhe këtë herë fëmija do t’u nënshtrohet analizave të ADN-së. Një ditë pas ngjarjes, pavarësisht nga hetimet dhe kërkimet policore, nuk është gjetur asnjë gjurmë e nënës që ka braktisur foshnjën në kazanin e plehrave dhe policia nuk ka një emër të saj. Burimet policore thonë se nuk përjashtohet mundësia që gruaja që ka sjellë në jetë fëmijën të ketë qenë e shoqëruar edhe nga një tjetër person. Sipas burimeve të policisë, edhe në një rast tjetër të ngjashëm të ndodhur pak vite më parë, ka dalë se një foshnjë ishte sjellë nga jashtë Pogradecit dhe ishte lënë në këtë qytet. Policia, që ka arritur të identifikojë atëherë nënën e fëmijës, tha se edhe vajza e porsalindur, e cila u gjend në kazan dhe mbijetoi falë dhënies së ndihmës mjekësore në kohën e duhur, mund të jetë transportuar deri në qytetin e Pogradecit për t’u braktisur më pas në qendër të tij.
#