Maskat vranë Xhevat Demirin në vitin 97
Dy persona të maskuar si punonjës policie dhe me maska në kokë kanë qëlluar mbi shtetasin Xhevat Demiri, në gusht të vitit 1997, në sytë e fëmijëve e bashkëshortes dhe më pas janë larguar pa iu dridhur qerpiku. Dëshmia është dhënë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga Albert Gjyla, komshiu i viktimës Xhevat Demiri. Ai është thirrur për dëshmi në procesin e Bandës së Lushnjës nga avokati i të pandehurit Afrim Hoxha, i cili, ndër të tjera, akuzohet edhe për vrasjen e Demirit. Gjyla pohoi para togave të zeza se ka qenë dëshmitar okular në furgonin ku u qëllua ndaj ‘kosovarit’, siç e thërrisnin Xhevatin, ndërsa autorët nuk i ka njohur, pasi kanë qenë me maska. Dëshmitari ka treguar edhe rreth veshjeve të autorëve të ngjarjes, që sipas akuzës janë të rëndësishme për procesin. “Disa minuta para se të vritej Xhevati tha se kishte shumë patrulla policie në hyrje të Lushnjës. Më pas furgoni ku isha edhe unë ka ndaluar dhe kam dëgjuar disa të shtëna. Dola jashtë dhe pashë të shtrirë përtokë Xhevatin”, tha Gjyla.
DëshmiaFillimisht dëshmitari u pyet nga avokati i të pandehurit Afrim Hoxha. Albert Gjyla tha se në vitin 1997 ka banuar në Lushnjë, ndërsa Xhevat Demirin e njihte pasi banonte afër shtëpisë së tij. “Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të. Për vrasjen e tij kam dijeni”, tregoi në fillim Alberti, duke shpjeguar edhe ditën kur u vra Xhevati. Sipas tij, ka qenë verë, fillim gushti i vitit 1997. Ishte në fshatin Gos të Kavajës me bashkëshorten dhe me 2 fëmijët. Një fqinji i tij ka kaluar në rrugën nacionale me një makinë të vogël. “Unë do të kthehesha për në Lushnjë. Kam hipur gruan dhe fëmijën e vogël 1 vjeç, pasi nuk kishte vend, ndërkohë që unë me djalin 4 vjeç pritëm 10 minuta, kur ka kaluar një furgon ngjyrë mjalti e çelur. Shkova për të hipur. Ishte Xhevati dhe kushëriri im Benet Gjyla. Më thanë hip, por mendova meqë ishte furgon i vjetër të mos hipja, pastaj vendosa që të iki me ta. Para në furgon ishte Xhevati, që drejtonte makinën dhe Beneti, ndërsa mbrapa ishte Mimoza, gruaja e Xhevatit, bashkë me dy fëmijët. Unë u ula në fund fare, atje ku ishte një dërrasë si tip stoli. Në prehrin tim ula çunin. Gjatë rrugës nuk pashë furgon policie”, vijoi dëshmitari, duke shtuar se në kthesë të Blerimit në Lushnjë, pashë 2 furgona policie.
VrasjaAlberti tha para gjykatës se në momentin që kanë hyrë në Lushnjë një patrullë policie ka ndaluar furgonin ku udhëtonte vetë. Thirrja e “policisë” për të qëndruar është dëgjuar nga drejtuesi i furgonit Xhevati. “Xhevati qëndroi. Zbriti dhe bisedonte me dy persona. Hapa perden, pashë se ishin të maskuar dhe veshur kishin rroba me lara. Pas 5 minutash dëgjuam një krismë, gruaja e Xhevatit zbriti dhe nisi të bërtasë. Dolëm jashtë, pamë Xhevatin të shtrirë. Personat ishin të armatosur”, tregoi dëshmitari, duke shtuar se “kur zbritëm nuk dinim ç’të bënim. Beneti mori Mimozën dhe fëmijët për t’i dhënë ujë te lokali i Sokolit. Më pas me ndihmën e një personi e çuam Xhevat Demirin në spital. Beneti mori familjen e Xhevatit dhe djalin tim dhe i shpuri në shtëpi, kurse unë mora viktimën dhe e dërgova në spital”, pohoi dëshmitari. Më pas ai ka saktësuar disa episode, duke shuar se nuk e ka mësuar se kush e vrau Xhevatin. “Këtë ngjarje ia kam treguar djalit të xhaxhait, Dritan Gjylës. Arben Boriçin se kam parë atë ditë. Ilir Stërgun se njoh. Aldo Baren se njoh si portret”, përfundoi Albert Gjyla.
#