E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë regjistrim prone pa dokumente origjinale

Tashmë është vendosur që për të shmangur mbivendosjet nuk do të regjistrohet asnjë pronë e përfituar me Ligjin 7501 pa u konfirmuar më parë origjinaliteti i dokumentacionit me atë që gjendet në këshillat e qarqeve. Zyra vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka evidentuar edhe raste të përfitimit të pronësisë me dokumente me origjinë të dyshimtë. Pikërisht për këtë, kjo zyrë jo vetëm që nuk lejon më dy ose më shumë regjistrime për të njëjtën pronë, por edhe për rastet e evidentuara deri tani do të bëhen korrigjimet e duhura ligjore. Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive ka nxjerrë udhëzimet përkatëse dhe ka urdhëruar zyrat vendore të bëjnë verifikime, duke marrë për bazë origjinën e përpilimit të titullit të pronësisë. Pra, për zonat rurale ku edhe është më i theksuar fenomeni i mbivendosjes, nuk do të lëshohet më certifikatë pronësie pa u bërë me parë verifikimi dhe krahasimi me dokumentet origjinale të ndodhura në këshillat e qarqeve. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka konstatuar jo pak raste kur për të njëjtën pasuri janë lëshuar dy ose më shumë certifikata, çfarë ka sjellë edhe konflikte, të cilat përgjithësisht kanë përfunduar në procese gjyqësore apo edhe deri në vetëgjyqësi. Rastet më të shpeshta të mbulesave hipotekare janë vërejtur në zonat rurale përreth Tiranës si, në zonën e Kasharit, Bërxullit, Yrshekut, Yzberishtit etj. Kjo ka ndodhur më së shumti për shkak të nënshkrimit nga ana e drejtuesve të komunave përkatëse të dokumentacionit për të njëjtën parcelë për më shumë se një pronar, pa përjashtuar këtu edhe veprime korruptive të ndodhura ndër vite në zyrat e hipotekave.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›