Qeveria, verifikim titujve të Ligjit 7501
Shteti do të rimarrë tokat të cilat janë ndarë abuzivisht. Qeveria ka miratuar një projektligj nëpërmjet të cilit do të shqyrtojë nga e para të gjitha titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991 qoftë edhe sipas Ligjit famëkeq 7501. Projektligji ka si synim që të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore si dhe do të ngrejë struktura shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe të krijojë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas qeverisë, objekti i projektligjit do të prekë titujt e pronësisë të krijuar me sipërfaqet që në datën 1.8.1991 që kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit 7501, që ka hyrë në fuqi në datë 19.7.1991. Njëkohësisht do të verifikohen sipërfaqet e tokave bujqësore që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998. Objekti i projektligjit do të prekë edhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas ligjit të vitit 1995. Projektligji përcakton se titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në Hipotekë si tokë bujqësore, do t’u hiqet titulli i pronësisë pasi ajo llogaritet si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.
26 Shkurt 2008