E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipotekat, formulari që shmang mbivendosjen e pronave

Pronësia mbi pronën realizohet nga plotësimi i formularit. Regjistrimi më i hershëm do të legjitimojë pronën
Erald Kapri

Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë nisur punën për heqjen dhe fshirjen e dokumentacionit hipotekar, i cili është vendosur në mënyrë të paligjshme. Sipas një udhëzimi të fundit, çdo qytetar që ka një pronë të regjistruar duhet të plotësojë një formular të fundit, që e gjen në të gjitha Zyrat e Regjistrimit, për të marrë konfirmimin përfundimtar që prona është e tij. Në bazë të formularit do të vendoset edhe pronari i ligjshëm i pronës në rast se ka kërkesa apo dyshime për të njëjtën pronë. Sipas formularit, personi që e ka regjistruar më herët pronën e tij duket se do të jetë edhe personi që do ta gëzojë apo trashëgojë në vite pronën. Personat, të cilat kanë certifikata hipotekare pronësie mbi të njëjtën pronë, do të përballen sipas të dhënave të formularit. Ligjshmëria do t’i përkasë atij që ka hedhur firmën i pari për pronën në zyrat e Hipotekave. Mbas verifikimit të formularit dhe përcaktimit të pronarit të ligjshëm të saj, të dhënat do të hidhen në kompjuter, gjë që do të sigurojë që asnjëherë të mos ketë publikime me pronat.
Ligji
Formulari po mbështetet te Ligji “Për pasuritë e paluajtshme” që sanksionon se do të merret e mirëqenë prona që është regjistruar e para, nëse është me dokumente të rregullta. Pikërisht për këtë qëllim është hartuar formulari, i cili shpërndahet në të gjitha Zyrat lokale të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Formulari mund të merret nga qytetari, plotësohet dhe sillet sërish në protokoll. Mbasi është plotësuar, pasi të jetë studiuar nga specialistët e zyrës vendore, miratohet nga regjistruesi dhe i dërgohet për vendim përfundimtar kryeregjistruesit të Republikës. Vendimi u bëhet i ditur palëve dhe pastaj njëra prej tyre do të jetë e detyruar që të bëjë regjistrimin përfundimtar të pronës.
Formulari
Formulari përmban disa elementë thelbësorë që vërtetojnë pronësinë ligjore mbi pronën. Ky formular përmban emrin dhe mbiemrin e personit që bën kërkesën, adresën, numrin e telefonit, pronën për të cilën bëhet fjalë, duke specifikuar numrin hipotekar dhe zonën kadastrale të pronës, e cila është regjistruar në emrin e tij. Njëkohësisht formulari përmban dhe të dhënat për pronën e palës që kërkon që t'i fshihet ajo e drejtë. Të gjitha të dhënat janë vendosur në formular, në mënyrë të tillë që të mund të kompjuterizohen lehtësisht. Kjo është bërë me qëllim që të mos ketë mundësi që të bëhen më mbivendosjet dhe që verifikimi i tyre të bëhet lehtësisht, duke u dhënë kështu një herë e mirë fund të gjitha abuzimeve.
Ndryshimet
Korrigjimet që do të bëhen në zbatim të ligjit, shfuqizojnë mbivendosjet duke krijuar një situatë normale në zyrat e hipotekave ku mbivendosjet duket se kanë qenë të shumta. Gjithsesi, kjo do të ndodhë vetëm nëse qytetari që e ka regjistruar i pari pronën rezulton se ka paraqitur dokumentacion të plotë ligjor, në përputhje me Kodin Civil. Në bazë të Ligjit të ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë disa regjistrime dhe që nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë, me kusht që ky i fundit të jetë në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil. Sipas ligjit, deri në marrjen e vendimit nga kryeregjistruesi, për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe pasuria bllokohet, çka do të thotë se mbi të nuk mund të bëhen transaksione apo veprime të tjera. Pas kësaj bëhet njoftimi i palëve brenda 10 ditëve për veprimet e kryera nga regjistruesi me këtë pasuri. Kryeregjistruesit i është lënë afat, 30 ditë pas marrjes së kërkesës, për të marrë vendimin e duhur ligjor. Nëse brenda 30 ditëve nuk merret vendimi, atëherë do të zbatohet neni 328 i Kodit të Procedurës Civile, i cili parashikon ankimimin në gjykatë.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›