E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilat janë dokumentet shtesë që nevojiten

Krahas dokumentacionit origjinal, ZRPP-të do të kërkojnë një dokumentacion shtesë. Dokumentet që do të krahasohen me origjinalet e depozituara në zyrë do të jenë shkresa përcjellëse, formulari verifikues, akti i marrjes së tokës në pronësi, plani i rilevimit dhe certifikata familjare e familjes bujqësore të 1 gushtit 1992. Në të gjitha rastet kur do të paraqiten shtetas për të regjistruar prona në zonën rurale, baza e të cilave është Ligji 7501, atyre nuk do t'u vazhdojë procedura e regjistrimit pa u bërë konfirmimi me dokumentin që ndodhet në ish-zyrat e Kadastrave, sot Sektori i Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës. Në kohën kur filloi dhënia e akteve të marrjes së tokës në pronësi, ato hartoheshin në dy kopje, nga të cilat njëra i jepej pronarit dhe tjetra depozitohej në zyrën e kadastrës. Kjo është bërë pikërisht për të bërë kontrolle si dhe për të lëshuar dublikata në rastet kur pronari dëmton ose humbet aktin e marrjes së tokës në pronësi.

Si fitohet titulli i pronësisë

Sipas ligjit, titujt e pronësisë nuk lëshohen nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, por nga komuna dhe qarku. Hipoteka bën regjistrimin e gjithë titujve të pronësisë. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit nuk ka këmbëngulur që të bëhet verifikimi i titujve të pronësisë apo tapive me origjinalin në këshillin e qarkut, ka ndodhur të jetë regjistruar një pronë dy apo më shumë herë, gjë që për vite me radhë ka futur në konflikt pronarin e vërtetë me pronarin e rremë dhe ka shtuar së tepërmi proceset gjyqësore. Në këtë kuadër, në mënyrë që të shmangen dhe të bëhen të gjitha korrigjimet e duhura në abuzimet që janë bërë me regjistrimin e pronave, janë bërë ndryshimet me ligjin e ri. Me korrigjimet që do të bëhen në zbatim të ligjit të përmirësuar së fundi, do të shfuqizohen mbivendosjet, duke krijuar një situatë normale në zyrat e hipotekave, ku mbivendosjet duket se kanë qenë të shumta.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›