E Diel, 1 Nëntor 2026

“Asnjë votim, nëse nuk miratojmë kodin elektoral”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste paralajmëron se nuk do të japë konsensusin në Parlament, nëse nuk përcaktohet një datë për miratimin e Kodit Zgjedhor. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, tha se vota pro Kodit Civil do të ishte hera e fundit. “Ne do ta votojmë pro, por nuk do të amendojmë asnjë kod, asnjë ligj tjetër, nëse nuk do të vijë këtu Kodi Elektoral. Është java e fundit dhe duhet të përfundojë. Çdo ditë që kalon rëndon në cilësinë e zgjedhjeve. Prandaj ne nuk do të kalojmë asnjë kod, nëse nuk do të vendosim të dy palët një datë për miratimin e Kodit Elektoral”, - tha ajo. Por pavarësisht qëndrimit pro të saj për Kodin Civil, rezultati final i votimit tregoi se ai nuk i mori dot 84 votat e nevojshme për t u kaluar. Votat kundër të deputetëve socialdemokratë, atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe një votë kundër nga deputeti Luan Memushi i PS-së, dhe Spartak Ngjela, si dhe abstenimet e disa deputetëve të tjerë, bënë që Kodi Civil të merrte vetëm 77 vota pro, 13 kundër e 7 abstenime. Por homologu i saj demokrat, Astrit Patozi, deklaroi se mosarritja e një kuorumi për të kaluar ndryshimet në Kodin Civil, që sipas Partisë Demokratike ishin të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, erdhi vetëm pasi opozita nuk e dha në tërësi votën e saj pro. Sipas tij, ultimatumi i Leskajt nuk kishte lidhje me votimin e Kodit Civil.
Patozi
Kreu i deputetëve demokratë, Astrit Patozi, nuk e mirëpriti rrëzimin e Kodit Civil, duke bërë përgjegjës për këtë opozitën. “Unë dëshiroj të shpreh keqardhjen time të thellë për qëndrimin e sotëm të opozitës në sallën e Kuvendit, për sa i përket admendimit të Kodit Civil. Në shkelje të rëndë të një marrëveshjeje të arritur paraprakisht, dhe mbi të gjitha kjo e shdërron opozitën në një avokate të korrupsionit, se ligji ishte shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në vend dhe ishte një detyrim që buronte nga Konventa Evropiane në luftën kundër korrupsionit”, - tha ai. Lidhur me ultimatumin e Leskajt, ai pohoi se ai nuk kishte lidhje me votimin e Kodit Civil, sepse për të, një pjesë e socialistëve votuan kundër dhe një pjesë pro. “Unë gjykoj se është qëndrim joserioz dhe mbi të gjitha është një rast i përsëritur që PS bëhet avokate e korruposionit në të gjitha segmentet ku ai është i pranishëm”, - tha Patozi.
Leskaj
Pas këtij qëndrimi të ashpër të kreut të deputetëve demokratë, Leskaj sqaroi se ajo deklaroi në Kuvend se do të votonin ndryshimeve në Kodin Civil për shkak se PS ka votuar çdo nismë, e cila mund t i kontribuojë luftës kundër korrupsionit. Edhe pse ajo shprehu dyshimet nëse ky kod dhe ligje të tjera që janë miratuar mund të kenë impakt pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, ajo shtoi se ka kërkuar të përshpejtohet puna për miratimin e Kodit Elektoral, për shkak se çdo vonesë mund të cenoj cilësinë e procesit zgjedhor, sepse jemi në afatet e fundit kohore. “Për sa i përket çështjes së Kodit Civil, me sa duket, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka qenë në pozitë të vështirë. Besoj që media e ka të filmuar, aty ishin vetëm tre ministra, pra mungonte dhe Qeveria, e cila duhej të ishte aty për të plotësuar votat për të miratuar kodin. Mendoj që mungesat që ka nga mazhoranca, kryetari i Grupit Parlamentar do përpiqet t i kërkojë nga opozita, e cila ka votuar për kodin”, - sqaroi ajo. Sipas tabelës elektronike të votimit, kanë qenë vetëm tre vota të Partisë Socialiste që nuk kanë shkuar pro këtyre ndryshimeve, të cilat, edhe nëse do të ishin në favor të tyre, nuk do të kishin arritur kuorumin e domosdoshëm të 84 votave, për t i kaluar ato. Në seancë është vënë re mungesa e ministrave të kabinetit Berisha, ku vetëm tre prej tyre, Gjana, Xhuveli dhe Beja kanë dhënë votën pro, duke qenë edhe të pranishëm në sallë.

Votuan kundër
Engjëll Bejtaj, PSD
Spartak Braho, EMI
Diana Çuli, PSD
Albert Divjaka, PSD
Petro Koçi, EMI
Angjelina Kola, PSD
Hamit Kosta, PDK
Ndre Legisi, EMI
Luan Memushi, PS
Nikollaq Neranxi, EMI
Spartak Ngjela, PD
Dritan Prifti, EMI
Pëllumb Xhufi, EMI

Abstenuan
Marko Bello, PS
Taulant Dedja
Durim Lamaj, Qendra
Ilir Meta, EMI
Qemal Minxhozi, PS
Gëzim Musabelliu, PSD
Rajmonda Stefa, PS
Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›