E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë vrasje për gjakmarrje në ‘07

• Thyhet miti i gjakmarrjes në Shkodër. Asnjë prej 10 vrasjeve të shënuara gjatë këtij viti në skedarët e policisë nuk mbart motivacionin e frikshëm të gjakmarrjes.Ndërkohë që një rritje të frikshme ka pasur krimi në familje, i cili ka sjellë viktima të konsiderueshme. Këto të dhëna janë bërë publike gjatë analizës së djeshme të policisë së Shkodrës, ku mori pjesë edhe ministri Nishani, si dhe nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi. Gjatë kësaj analize u publikuan shifra të tilla si: ulja e veprave penale të ndodhura gjatë këtij viti me 135 të tilla, kundrejt vitit 2006; shkalla e zbulueshmërisë është rritur në 98.4% në krahasim me 83.8% që ishte vitin e kaluar; janë kapur 161 persona të shpallur në kërkim, nga ku 20 prej tyre kanë qenë të kërkuar për krimin e vrasjes; janë zbuluar 30 ngjarje të vjetra, nga ku 17 janë për veprën penale të vrasjes. Ndërsa ministri Nishani në fjalën e tij është shprehur: “Kanë qenë rezultatet tuaja të arritura në luftën kundër krimit, të cilat më kanë obliguar që të jem i pranishëm në këtë analizë. Ndaj dhe unë do të desha t’ju falënderoj në emër të qeverisë për këto rezultate”, ka deklaruar ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›