E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flotës shqiptare i dalin thinjat

• Flota e transportit detar të Shqipërisë është më e “plakura” në Evropë.DURRES/ OERD ULQINI Ky kriter, i cili cenon drejtpërsëdrejti jo vetëm dinjitetin e flamurit që përfaqëson, por edhe sigurinë në lundrime, përbën penalizimin më të madh për detarinë vendase. Nëntë prej anijeve me flamur shqiptar janë “nxjerrë në pension” nga regjistri detar. Atyre u është hequr e drejta e lundrimit, pasi gjendja e tyre teknike nuk respektonte ligjet ndërkombëtare të detit. Inspektimet e fundit për “fitimin e klasit” të regjistrit detar kanë konstatuar se anijet “Teuta”, “Bellz 2”, “Pina”, “Renvi”, “Joni”, “Eldore”, “Poseidon”, “Eni” dhe “Frojdi” nuk duhet të lundrojnë më, pasi klasifikohen si “jo të sigurta”. Kësaj liste anijesh i shtohet edhe “Doku” riparues i kantierit detar, i cili daton si prodhim vitin 1936. Sipas drejtorit të përgjithshëm të regjistrit detar të Shqipërisë, Hysni Aruçi, ato anije mund ta rifitojnë të drejtën e lundrimit vetëm pasi të kenë kryer riparime rrënjësore në kantieret detare. Por kjo do të jetë tepër e vështirë, pasi ka kosto shumë të lartë, ndaj nuk përjashtohet mundësia që kjo pjesë e flotës shqiptare të shitet për skrap. Bllokimi i anijeve ka edhe një faturë të rëndë sociale. Prej më shumë se një jave, afro 100 marinarë durrsakë i janë bashkuar “ushtrisë” së të papunëve. “E di që ky bllokim krijon papunësi, por u them atyre marinarëve se kjo kryhet në të mirën e tyre. Ne nuk do të lejojmë kurrsesi që marinarët tanë të lundrojnë me mjete që mund të mbyten në çdo çast”, u shpreh për “Panorama”, Aruçi. Aktualisht flota tregtare shqiptare numëron 37 anije me të drejtë lundrimi, nga 46 që kishte një vit më parë. Problemi më shqetësues për flotën shqiptare të transportit mbetet amortizimi i anijeve. Mosha mesatare e anijeve të mallrave që lundrojnë me flamur shqiptar është 38 vjet, ndërkohë që vende të tilla të rajonit, siç është Kroacia, e kanë moshën mesatare të mjeteve lundruese më pak se 20 vjet. Heqja e së drejtës së lundrimit për tetë anijet shqiptare u krye, pasi gjendja aktuale e tyre binte në kundërshtim me standardet e sigurisë në det të përcaktuara qartë në konventat ndërkombëtare “Solas” dhe “Marpol”. Siguria e lundrimit, siguria e jetëve njerëzore në anije dhe garancia ndaj ndotjes ambientale, përbëjnë në thelb respektimin e dy konventave mbi detarinë “Solas” dhe “Marpol”, në të cilat edhe Shqipëria është nënshkruese. Anijet“Teuta”viti i prodhimit 1960“Bellz 2”viti i prodhimit 1958“Pina”viti i prodhimit 1970“Renvi”viti i prodhimit 1963“Joni”viti i prodhimit 1960“Poseidon”viti i prodhimit 1962“Eni”    viti i prodhimit 1963“Frojdi”viti i prodhimit 1971“Eldore”viti i prodhimit 1970Lobing “detarie” në ParlamentDeputetët e Durrësit, Sami Gjergji, Osman Metalla dhe Gazmend Oketa janë shprehur pro heqjes së doganës për anijet, por kjo kërkesë e tyre nuk ka gjetur ende miratimin e Ministrisë së Financave. Por teksa njerëzit e politikës shqiptare nuk arrijnë dot të gjejnë emëruesin e përbashkët, pronarët e anijeve arrijnë të shmangin këto taksa doganore, pa kryer krim financiar në dëm të shtetit. Shumë prej tyre pranojnë të lundrojnë me flamuj të Kiribatit, Koresë së Veriut, Tongos dhe Mongolisë (pavarësisht se ky shtet nuk ka det), vetëm për të shmangur doganën që përbën 25% të vlerës së anijes. Por për fat të keq, në këmbim të “lirisë së taksave”, këto flamuj i kushtëzojnë pronarët shqiptarë të punësojnë në anijet e tyre marinarë të këtyre vendeve. Sipas Hysni Aruçit, kjo dëmton direkt punësimin në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›