Firmoset arresti për tritolin te gruaja
• VLORE - Arrestohet pas tre ditësh i dyshuari kryesor për vendosjen e lëndës eksplozive në banesën e Anxhela Myrtaj. Sipas policisë, ai është ish-bashkëshorti i saj Ahmet Laze.Pas shoqërimit disa herë në komisariat, atij i janë vënë prangat. Laze, 55 vjeç, është akuzuar nga ana e ish-bashkëshortes si autori i vendosjes në banesë të një sasie lënde plasëse, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale. E zonja e shtëpisë akuzoi direkt ish-bashkëshortin, pasi ka deklaruar se vetëm me të ka pasur konflikte, të lindura për detyrimet financiare të babait të fëmijëve. Pas denoncimit të bërë për ngjarjen, Laze u ndalua në portin e Durrësit, në tentativë për të kaluar kufirin. Identifikimi i tij është bërë nga policia në momentin kur ka paraqitur pasaportën për të marrë vulën e kalimit në terminal. Sapo është konstatuar dhe identifikuar, policia portuale ka bërë bllokimin e pasaportës së tij dhe shoqërimin në policinë e Durrësit dhe më pas për në komisariatin e Vlorës. Pas marrjes në pyetje përgjatë gjithë natës të së hënës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm policia ka prerë fletën e arrestit për Ahmet Lazen, 55 vjeç, me akuzën e vendosjes së eksplozivit në banesën ku jetonte ish-gruaja bashkë me dy vajzat e rritura të tyre. Policia po heton për persona që kanë bashkëpunuar me 55-vjeçarin për të kryer këtë atentat, i cili fatmirësisht nuk shkaktoi të lënduar. Nisur nga ngjarja e ndodhur 3 ditë më parë, dyshohet se Laze është autor dhe në dy rastet e tjera të atentateve të ngjashme në derën e shtëpisë së Anxhela Myrtajt. q.b