Zhveshi varrezat e Korçës nga bronzi, në pranga 23-vjeçari
• KORÇE – Arrestohet nga policia e Korçës autori i vjedhjes së varrezave publike të qytetit.Një 23-vjeçar u vu në pranga pas survejimit të lëvizjeve të tij prej disa ditësh nga policia e rendit dhe ajo bashkiake. Disa herë familjarët e të ndjerëve ishin ankuar për dëmtimet në varret e të afërmve të tyre dhe menjëherë ka nisur puna për identifikimin e autorëve, të cilët synonin kryesisht objekte mermeri apo bronzi. Në pranga është vënë Vaskë Baka, ndërsa janë shoqëruar disa persona. Në varrezat publike janë konstatuar në dy javët e fundit plot 20 raste të vjedhjes së objekteve. Pasi merren ato çohen nëpër fshatra, ku objektet prej bronzi shiten te persona që merren me shkrirjen e tyre. Policia ka bllokuar disa objekte të grabitura nga i ndaluari, të cilat do t’u shpërndahen familjarëve që bënë denoncimet. Sipas policisë, Vaskë Baka është kapur në flagrancë rreth orës 06:30 të ditës së djeshme, sapo uniformat blu u sinjalizuan nga ana e rojës së varrezave. Ai u kap në varret publike duke vjedhur disa poçe nga varret, ndërsa kishte lënë përgjysmë grabitjen e një tjetër objekti prej bronzi, të cilin për shkak të madhësisë e kishte prerë në mes. Kur ka pikasur policinë, autori është mundur të largohet, por nuk ka mundur. Arrestimi i grabitësit të varrezave publike është një prej shumë rasteve të identifikuar e të ndaluar vitet e fundit. Vjedhja e objekteve është kthyer në një fenomen në Korçë, duke angazhuar policinë e rendit me patrullime të përhershme në varreza. j.gj