E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoria e Mjedisit: TEC-i të mbyllet urgjent, po na vdes

• “TEC-i i Fierit duhet të mbyllet urgjentisht, pasi po helmon banorët me gazrat dhe tymin mbytës që lëshon.FIER/ Majlinda Rama Alarmi vjen nga Drejtoria rajonale e Mjedisit vetëm pak javë nga rinisja e punës në termocentral që shtrihet në pjesën jugore të qytetit. Angjelina Mërtiri, drejtoresha e DRM-së, pohon se TEC-i nuk mund të vazhdojë punën në këtë gjendje, të shkaktuar dhe nga amortizimi total i tij. Ditët e fundit kjo drejtori ka dalë në një kontroll për të gjithë ndotësit e mëdhenj në qarkun e Fierit, duke aplikuar gjoba të ndryshme, deri në 20 milionë lekë. Aksionet e mbështetura nga Ministria e Mjedisit janë shtrirë dhe në Roskovec, Patos dhe Ballsh. Problematike janë shënuar dhe KPTHN–ja dhe TEC-i në Ballsh, Rafineria e Naftës dhe Albpetroli, të cilat kanë marrë sanksione ligjore për shkak se nuk zbatojnë kushtet e përcaktuara për lejen mjedisore. Nga këto sanksione ka shpëtuar vetëm TEC-i i Fierit, për të cilin rifillimin e punës e urdhëroi vetë qeveria. Sipas Mërtirit, rregullimi i situatës hidrike në vend ul domosdoshmërinë e punës së këtij TEC-i, me qëllim normalizimin e gjendjes për banorët e prekur nga ndotja. Për të arritur këtu, Mërtiri pohoi se janë duke u përgatitur procedurat, të cilat do të bëjnë të mundur realizimin e marrëveshjes midis TEC-it dhe Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e punës në këtë zonë industriale. “Puna në TEC filloi përkohësisht, të detyruar nga fakti i thatësirës në vend. Ekspertë të energjetikës do të vlerësojnë prurjet në lumenj dhe kur të vijë momenti i përshtatshëm do të pezullohet furnizimi me energji nga TEC-i”. Prej shumë kohësh TEC-i i Fierit është cilësuar si një nga pikat strategjike të ndotjes për qytetin myzeqar. Bashkë me të, në “listën e zezë” të ndotësve kryesorja janë të radhitur edhe KPTHN-së Ballsh, Albpetroli dhe rafineria e naftës, të cilat me një sasi të konsiderueshme gazrash jo vetëm zonë në të cilën ndodhen, por edhe disa kilometra larg. Teknologjia e vjetruar e këtyre subjekteve, nga dita në ditë, çon në rritjen e nivelit të ndotjes, por duke qenë se ato shihen me prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit, Ministria e Mjedisit nuk është pro mbylljes së aktivitetit të tyre. Megjithëse ulja e nivelit të ndotjes është detyrë e këtyre subjekteve, ato janë treguar indiferente ndaj një fakti të tillë. “Këto subjekte nuk përmbushin asnjë kriter të parashtruar në lejen mjedisore të nxjerrë nga Ministria e Mjedisit, pasi shkalla e tyre e ndotjes është dy herë më e lartë se normat e lejuara”, deklaron drejtorja e Drejtorisë së Mjedisit, Angjelina Mërtiri.Privatizimi, zgjidhja e problemitSipas drejtoreshës së DRM-së në Fier, vendosja e gjobave nuk është zgjidhje për ndotjen. “Zgjidhja e vetme mund të jetë privatizimi i këtyre subjekteve dhe rinovimi i teknologjisë së tyre. Vetëm kështu mund të kemi një lloj disiplinimi dhe ulje të ndotjes që po shënon rritje dhe shkallë drastike të saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›