“Asnjëherë nuk është vonë për të hapur dosjet”
Intervistë me Marianne Birthler, e ngarkuara e qeverisë gjermane për dokumentet e Stasi-t gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri
Si e perceptoni çështjen e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit, tani që u njohët në Tiranë me këndvështrimin e ish-të përndjekurve, politikanëve dhe qytetarëve për këtë çështje?
Diskutimet në Tiranë i perceptoj në dy aspekte:
Së pari, kam mbetur e befasuar nga numri i madh i njerëzve të prekur direkt, ish-të persekutuar, që morën fjalën dhe treguan historitë e tyre. Kuptova që për ta ishte ndoshta e para herë që flisnin hapur për këtë çështje.
Së dyti, kuptova që në Shqipëri ka një grup njerëzish, të cilët dëshirojnë që dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit, të hapen, por ka edhe një grup tjetër që i tremben hapjes së tyre, një grup ky, i cili nuk beson se realizimi i këtij procesi në rrugë juridike mund të shmangë hakmarrjen.
Unë e kuptoj fare mirë shqetësimin e këtij grupi, sepse e kam hasur edhe në rastin e Gjermanisë, por në Gjermani ka një ligj, i cili garanton që hapja e dosjeve të mos keqpërdoret nga askush.
Tani që keni perceptimin tuaj personal, a mund të thoni pse në Shqipëri nuk po hartohet dot ligji përkatës, pse çështja e dosjeve mbetet e mbetet në mes të rrugës?
E njoh pak realitetin e Shqipërisë dhe nuk mund të jap këshilla apo rekomandime. Por përshtypja ime është që në Shqipëri diskutimi për dosjet shihet si temë e lustracionit të shoqërisë. Ndërsa në Gjermani një këndvështrim i tillë ka kaluar në plan të dytë. Në Gjermani është shumë e rëndësishme që njerëzit, të cilët u spiunuan, u persekutuan nga ish-policia sekrete në ish-Gjermaninë Lindore, nga Stasi, të gëzojnë të drejtën për të parë se si është vepruar me ta. Përveç kësaj është shumë e rëndësishme që mediet dhe institucionet publike të kenë të drejtën të shikojnë dosjet për të kuptuar se si ka vepruar ish-Sigurimi i Shtetit.
Ditët e fundit u arrestua në Londër, nga Interpoli, një ish-oficer i ish-Sigurimit, që vazhdoi të ishte pjesë e shërbimeve sekrete edhe pas përmbysjes së regjimit, pjesë e SHIK. Tani drejtësia e Shqipërisë e akuzon atë për torturimin dhe vrasjen e një qytetari shqiptaro-maqedonas, diku nga viti 1996. A nuk është kjo ngjarje e bërë publike, tregues domethënës për rrezikun konkret që sjell trashëgimia e padënuar e komunizmit?
Janë dy realitete të ndryshme shërbimet sekrete të një shteti demokratik nga ato të një diktature. Në demokraci është e rëndësishme, nëse këto shërbime punojnë me korrektësi dhe nëse puna e tyre kontrollohet. Por kjo nuk ka lidhje me mënyrën se si ne trajtojmë trashëgiminë që na vjen nga komunizmi.
Për të hapur dosjet nuk është asnjëherë vonë. Në disa vende ndodh kështu si në Shqipëri dhe kjo është normale. P.sh., rasti i Spanjës, njerëzit atje po kërkojnë tani të dinë për krimet dhe vdekjet në vitin 1978, në kohën e Frankos.
Pyetja e fundit. Auditori juaj në Tiranë, zonja Birthler, kërkoi që ju t'i ndriçonit pikëpyetjet, paqartësitë, dilemat për çështjen e pazgjidhur të dosjeve. Nga pyetjet e shumta që ju drejtuan, nga përvojat shqiptare që dëgjuat, a mendoni se modeli gjerman mund të aplikohet edhe në Shqipëri, nëse do të vijë dita, një ditë e afërt, kur zvarritja të marrë fund?
Nuk kam ardhur në Tiranë për të treguar se si duhet bërë hapja e dosjeve në Shqipëri. Me kënaqësi tregova përvojat e mia, por situatat në Shqipëri dhe në Gjermani kanë qenë shumë të ndryshme. Gjithsesi, në Shqipëri duhet të diskutohet, nëse do të ndiqet rruga gjermane apo një rrugë tjetër, nuk mund të them që modeli gjerman është më i miri. Përzgjedhjen duhet ta bëjnë vetë shqiptarët.