E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, gati procedimi disiplinor për tre gjyqtarët që liruan Delijorgjin nga akuzat

Nga Bledar Lumani

Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Ushtarak në kryeqytet, Shaqir Gradica, Ylli Minko dhe Naum Pejo, të cilët liruan nga akuzat e korrupsionit të pandehurin kryesor të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin, pritet që të shkarkohen gjatë ditës së premte. Kjo u bë e ditur gjatë ditës së djeshme nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, teksa po gjatë ditës së premte pritet që të merren masa disiplinore edhe ndaj disa gjyqtarëve të tjerë, të cilët janë gjetur me shkelje gjatë inspektimit nga Inspektorati i KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë. Gjyqtarët që liruan Delijorgjin nga akuzat dhe që i falën atij gjobën prej një milion dollarësh, u bënë shkak edhe për një konflikt mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe zëvendëskryetarit të KLD, Kreshnik Spahiu. Madje, Alibeaj kërkoi edhe verifikimin e mandatit të Spahiut, pasi, sipas tij, ky i fundit kishte tejkaluar kompetencat. Por, kërkesa e tij u hodh poshtë nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sakaq, për herë të parë, mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk do të zhvillohet në kryeqytet, por do të zhvendoset për në qytetin e Dibrës.

Mbledhja

Pothuajse pesë muaj pas kërkesë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë për procedimin penal ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Ylli Minko dhe Naum Pejo, të cilët liruan Mihal Delijorgjin nga akuzat e korrupsionit, duke i falur edhe një gjobë prej një milion dollarësh, ditën e premte pritet që të nisë edhe procedimi disiplinor ndaj tyre. Përveçse pritet që tre gjyqtarët të shkarkohen nga detyra, ndaj tyre mund të nisë edhe ndjekje penale për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Sakaq, përveç gjyqtarëve që liruan Delijorgjin nga akuzat, Këshilli i Lartë do të shqyrtojë edhe procedimet disiplinore ndaj disa gjyqtarëve të tjerë, të cilët janë gjendur me shkelje, pas inspektimeve të bëra, si nga ana e Inspektoratit të KLD, ashtu edhe nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë. Mes gjyqtarëve që do të procedohen mësohet se janë edhe gjyqtari i gjykatës së Matit, Murat Lleshi, gjyqtarja e gjykatës së Vlorës, Mirela Mishgjoni, si dhe disa gjyqtarë të tjerë të gjykatës së Sarandës, Tiranës, Elbasanit dhe Gjykatës së Apelit në Tiranë. “Në mbledhjen e tij plenare të radhës, që do të zhvillohet ditën e premte, më datë 24 tetor 2008, pjesë e rëndësishme e rendit të ditës janë parashikuar të jenë dy procedime disiplinore, dhe konkretisht: procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit të gjykatës së Matit, Murat Lleshi dhe vazhdimi i procedimit disiplinor në lidhje me shkarkimin e gjyqtares së gjykatës së Vlorës, Mirela Mishgjoni”, - bëri të ditur në një deklaratë për shtyp Këshilli i Lartë të Drejtësisë. Ndërkohë, për herë të parë në historinë e vet Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk do ta zhvillojë mbledhjen e vet në kryeqytet, por në qytetin e Dibrës.

Si u lirua Delijorgji nga tre gjyqtarët ushtarakë?

Mihal Delijorgji, ortaku i vetëm i kompanisë së skrapit “Përparimi”, u arrestua në prill të vitit 2004, nën akuzën e evazionit fiskal, ndërsa më 5 maj të atij viti ai u lirua kundrejt garancisë pasurore prej një milionë USD. Në seancën e gjykimit të 15 korrikut 2005, gjykata e Durrësit rrëzon kërkesën e avokatit mbrojtës të Delijorgjit për zëvendësimin e masës së sigurisë, nga “garanci pasurore” në “detyrim paraqitjeje”. Por, atë që nuk e lejoi Gjykata e Shkallës së Parë, e bëri Apeli. Kjo gjykatë, me vendim të datës 2 shtator 2005, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, dhe pranon kërkesën e mbrojtjes së Delijorgjit për zëvendësimin e masës së sigurisë. Më pas, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pasi e gjeti fajtor Delijorgjin për kryerjen e dy veprave penale, e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Drejtorisë së Doganës së Durrësit për dëmshpërblimin nga Delijorgji të një shume prej 122.668.851 lekësh të reja. Kjo, si pasojë e dëmit që kishte shkaktuar nëpërmjet kontrabandës dhe falsifikimit të formularëve doganorë gjatë kalimit të skrapit. Pas kësaj, Delijorgji dhe mbrojtësit e tij e ankimuan këtë vendim në Apel, duke pretenduar pafajësinë. Kur çështja mbërriti në Gjykatën e Apelit të Durrësit, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni hoqën dorë nga gjykimi, duke pretenduar se kishin gjykuar më parë vendime të shkallës së parë. E ndodhur në këtë situatë, KLD u detyrua të delegonte nga Tirana tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Ylli Minko dhe Naum Pejo. Këta, pasi shqyrtuan çështjen në ngarkim të Delijorgjit, vendosën të pushonin gjykimin, me argumentet se nuk ekzistonte vepra penale, ndërsa për pasojë rrëzuan edhe padinë civile të Doganave në ngarkim të Delijorgjit, duke e nxjerr të pafajshëm atë.

Përplasja Alibeaj-Spahiu për procedimin e gjyqtarëve

Gjyqtarët që liruan nga akuzat Mihal Delijorgjin shkaktuan edhe përplasjen mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë. Një ditë pasi KLD bëri publike të dhënat e inspektimit për tre gjyqtarët ushtarakë që shpallën të pafajshëm Mihal Delijorgjin, ministri i Drejtësisë i ka marrë në mbrojtje këta të fundit. Ministria e Drejtësisë i ka kujtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë se është ajo përgjegjëse për nxjerrjen e konkluzioneve të raportit të inspektimit dhe më pas fillimin ose jo të procedimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka. “Ministri i Drejtësisë, në zbatim të nenit 34 të ligjit nr. 9877, datë 18/02/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, është autoriteti që vendos fillimin e procedimit disiplinor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, - tha zyra e shtypit pranë ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, një ditë pasi KLD vendosi pezullimin e tre gjyqtarëve.

Ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë i rekomandoi Alibeajt të nisë procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve që falën Delijorgjin, ky i fundit u fokusua te kompetencat dhe jo te problemi. Madje, Alibeaj kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës nga ana e Spahiut. Në kërkesën e tij, Alibeaj pretendonte se Spahiu kishte tejkaluar kompetencat e detyrës së tij dhe kishte paragjykuar procedimin e mundshëm ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak. Por, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e rrëzoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë, duke votuar në disfavor të tij. Kërkesa e Alibeajt u rrëzua sipas argumentit se nuk bazohej në ligj, si dhe për faktin e moskonsiderimit si shkelje e detyrës nga zëvendëskryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, të atyre veprimeve te pretenduara nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›