Rama, darkë pune me ambasadorët e SHBA dhe BE
Kryetari socialist, Edi Rama, pati një darkë pune mbrëmë me ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë. Ftesës së tij i janë përgjigjur ambasadori amerikan, John Withers dhe përfaqësuesit e vendeve të BE në vendin tonë. Në qendër të kësaj darke pune duket se kanë qenë zhvillimet e fundit në vend.
Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore kanë zënë vendin kryesor në diskutime.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë kanë lëshuar ditët e fundit akuza të ashpra, në drejtim të qeverisë për sa i përket reformës në drejtësi. Nuk ka ngelur më pas dhe reforma zgjedhore. OSBE ka kërkuar që të nxitohet me reformën zgjedhore.
Ndërkohë, po dje Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi, tha se Sali Berisha duhet të largohet jo vetëm nga posti i kryeministrit, por të largohet plotësisht nga politika. Si një kundërpërgjigje ndaj deklaratave të disa drejtuesve të PD që kërkojnë largimin e Ramës nga kreu i PS, Blendi Klosi thotë se Berisha duhet të largohet nga politika, për shkak se, sipas tij, ai e ka çuar Partinë Demokratike në një gjendje të mjerueshme.
“Për të kuptuar gjendjen e mjerueshme, në të cilën ndodhet Partia Demokratike, mjafton të vlerësosh zëdhënësit e saj më të rinj, të cilët janë transformuar në tellallë të paturpshëm të liderit të tyre, Sali Berisha, të cilët në deklarata të pakuptimta kërkojnë të shmangin vëmendjen. Ajo çfarë e gjithë qytetaria sot po kërkon, është që Sali Berisha, jo vetëm të largohet nga drejtimi i qeverisë, por ai urgjentisht duhet të largohet edhe nga jeta politike e vendit”, - tha dje Klosi.
Ndërsa zëdhënësja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli, tha dje se qeveria ‘Berisha’ është përgjegjëse direkt për mungesën e sigurisë dhe ekzistencën e korrupsionit dhe varfërisë së lartë në vend. “Sipas Sali Berishës opozita nuk duhet të flasë për rënien e frikshme të çmimit të jetës dhe për mungesën e plotë të sigurisë. Sipas tij, opozita nuk duhet të flasë për vdekjet në punë, në rrugë, në festë, në det, nuk duhet të flasë për korrupsionin që vret njerëz, si në Gërdec apo mbyt njerëz si në Butrint. Por ne jo vetëm do të flasim për këto tragjedi, por dhe do të tregojmë me gisht Sali Berishën dhe qeverinë e tij si përgjegjëse për mungesën e sigurisë dhe korrupsionin që merr jetë njerëzish. Të ketë turp Sali Berisha që gënjen për të marrë frymë!” - tha Kodheli.