E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e dëshpëruar për zonjën Topalli

Nga Mero Baze

E di që adresa e saktë e kësaj letre nuk jeni ju, por jam i detyruar të ndjek protokollin e atyre që janë ngarkuar prej shumicës të flasin në emër të Kodit të Vdekjes.

Ka ndodhur një tragjedi e re. Së paku 5 vetë mungojnë nga lista e njerëzve që hipën në një varkë fatkeqe për të kaluar liqenin e Butrintit dhe për të vazhduar rrugën për në Greqi.

Nuk të fajësoj dot për postbllokun e policisë që i trembi dhe i detyroi të kalonin në liqen, pasi ata po bënin thjesht detyrën. Bënë sa mundën dhe besoj se nuk kishin më shumë mundësi se aq.

Nuk të fajësoj dot për peshkatarët, sepse dhe ata bënë sa mundën. Nuk të fajësoj dot as ty, madje as kryeministrin pse ishit në Shqipëri dhe nuk bëtë dot gjë, se nuk kishit çfarë të bënit.

Nuk ju fajësoj dot as pse nuk keni shkuar për ngushëllime, se është moment delikat emocional dhe politik dhe e di që nuk keni kurajë ta përballoni.

Nuk ju fajësoj dot as për policinë, pasi realisht ka pasur disa suksese policore, pavarësisht se ai spoti nuk është bërë për ato, por për t’iu dhënë ca pará klientëve mediatikë të kryeministrit që prodhojnë reklama të neveritshme dhe profesionalisht, jo vetëm politikisht. Qytetarët binden më shumë për mirësinë e policisë nga kontakti me të në rrugë sesa nga spoti juaj i frikshëm.

Nuk ju akuzoj dot as për faktin që nuk shkuat dot te familja e nënës së mbytur me foshnjën e saj tremuajshe, ngaqë kohët e fundit keni ndërmarrë një fushatë për t’u mbështetur më shumë te gratë në politikë.

Nuk ju fajësoj dot pse nuk iu përgjigjeni ashpër kritikave të opozitës për këtë rast, pasi e di që do të kujtojnë vizitën tënde në Vlorë, më 10 janar 2004, një ditë pas tragjedisë së ngjashme, kur fajësove kryeministrin Fatos Nano dhe ministrin Pandeli Majko për papërgjegjshmëri politike dhe përgjegjësi për vdekjen. Ata e paguan shtrenjtë atë.

Nuk të vë faj pse nuk iu mbyll gojën këtyre të rinjve të G99 që fajësojnë qeverinë, pasi bashkë me ta në janar të 2004 shkove ndeze qiri para Kryeministrisë për t’ia lënë vdekjen në derë kryeministrit. Nuk të fajësoj dot pse nuk flet dot për Kodin e Vdekjes, siç fole në rastin e Kosta Trebickës, pasi do të kujtojnë që 9 janarin ia bëre spot elektoral Fatos Nanos.

Nuk të fajësoj dot pse ke votuar për moratoriumin për skafet, pasi e di që nuk ishte një vendim i juaji, por një urdhër mekanik nga fqinjët perëndimorë që nuk besonin tek aftësia jonë si shtet normal, që do ta bënte më të mirë jetën e shqiptarëve këtu.

Pra, kam shumë arsye që të më dukesh e pafajshme në gjithë këtë histori. Kam plot arsye të besoj se je prekur si nënë, si politikane dhe ligjvënësja kryesore e Shqipërisë. Kam plot arsye të besoj se tragjedi si kjo të bëjnë të pafuqishëm si politikan, pasi të zhveshin lakuriq, si një të vdekur të pafuqishëm para futjes në arkivol, ku nuk ke çfarë thua asgjë. Nuk thua dot kemi rritje ekonomike dyshifrore, nuk thua dot kemi ulur papunësinë, nuk thua dot kemi ngjallur shpresën, nuk thua dot ato që thua nëpër mitingje, se ia kemi kaluar dhe Gjermanisë nga ritmi i rritjes ekonomike, nuk thua dot asgjë nga ato që nuk i dëgjon njeri kur i thua.

Nuk i thua dot, se tragjedia është një shuplakë ndaj gjithë gënjeshtrave që thuhen për të gënjyer njëri- tjetrin.

Ata që vdiqën nuk kanë më nevojë për asgjë, as për shpresë, as për gënjeshtra, as për të vërteta. Ata kanë nevojë për respekt, së paku për ikjen e tyre.

Nuk po them që i vrave ti. Nuk them dot që ishte aksident. Nuk them dot që i vrau policia. Nuk them dot që i vrau opozita. Nuk them dot që i vrau qeveria. Por e them me plot gojën se ua bëmë të padurueshme jetën në këtë vend dhe ata ikën në botën tjetër.

Dil kërkoju falje në emër të përgjegjësisë që shumica në pushtet ka për qytetarët e saj dhe humbjen e shpresës në vend!

Dil kërkoju falje shpirtrave të tyre të trazuar që u mbytën në një kanal nga paniku i ikjes prej këtij vendi!

Nuk po të them, po s’iu kërkove falje, jep dorëheqje, se nuk ka më rëndësi. Të vdekurit janë në paqen e tyre, por ju duhet të qetësoni të gjallët, ata që vdekjes dinë t’ia ruajnë nderin dhe t’ia marrin hakun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›