Taksat për dadot e shtëpisë shqetësojnë Flamurin
Antena brenda familjes
Qeveria njoftoi dje se do të taksojë gjithë dadot që punojnë në të zezë në shtëpi. Lajmi ka qenë shumë befasues. Mbi të gjitha, se as një për qind e shqiptarëve nuk përdorin ende dado apo gra për shërbesa në shtëpi. I tronditur mbi të gjithë ishte miku jonë, Flamuri, i cili nuk e kuptonte dot se ç’kuptim kishte kjo reformë.
U lidh me Ridvan Boden t’ia shpjegonte.
- Nuk ka ndonjë çudi, - i tha Ridvani. - Kemi vendosur të taksojmë çdo profesion dhe ky është një profesion i ri që nuk e kishim përfshirë në taksat. Kemi premtuar zgjerimin e bazës së taksimit, do ta bëjmë.
- Po ç’përfitim konkret kemi nga kjo? - i tha Flamuri.
- Ka plot përfitime. Së pari, marrim vesh kush ka dado në shtëpi. Ai që ka dado, d.m.th., që ka lekë dhe i shkojmë te biznesi, i gjejmë lekët. Kush nuk ka dado, natyrisht nuk ka lekë. Së dyti, na shërben për të kuptuar sa i paguajnë dadot. Se dhe ky është një tregues. Ka që i paguajnë 100 euro, ka 200 euro. Por ka dhe nga 500 euro.. Këta të fundit duhen parë mirë.
- Unë për vete s’mbaj dado, - i tha Flamuri, - por më duket pak si budallallëk, se ti nuk mund ta verifikosh ka apo s’ka dado në shtëpi tjetri, se ai nuk ta tregon.
- Të jetë ligji njëherë, pa s’dihet si i gjejmë.
- Po kush ia shtiu në mendje atij burrit këtë?
- Vetë e kishte gjetur. Kishte pyetur një ditë vajzën: “Kush t’i mban fëmijët?” “Dadoja”, - i kishte thënë ajo. “Po sa paguan?” - i kishte thënë ai? “500 mijë”, - i kishte thënë ajo. “Po pse s’thua ti që u bëka nami, - kishte thënë ai. - Ja ku e paskemi evazionin fiskal ne. Llogarit sa njerëz të punësuar kemi, aq familje kanë dado me nga 500 mijë...”
- Po jo mor burr, - i tha Flamuri, - se nuk e paguan njeri 500 mij dadon dhe nuk kanë as një për qind e shqiptarëve dado.
- E di, e di. Po ai tani çdo shembull e merr nga familja. Dhe e kemi kusur këtë punë. Dhe me biznesin e vogël kështu e hëngrëm. E pyeti një ditë vajzën: “Çfarë biznesi je ti?” “I vogël”, - tha ajo. “Mirë, - i tha, - do t’ua përgjysmojmë taksat ju.” Pastaj njëherë tjetër më mbajti një fjalim të gjatë që avokatët nuk paguajnë taksa. E kishte për këta që kanë studio. Epo thashë unë qenka zënë me vajzën. Kur ia thashë këtë, më tha: “Jo, jo, vajza ime është biznes i vogël, por më ka thënë që këta që kanë studio bëjnë namin, se paguajnë shumë pak.”
- S’e di o mixhë si po shkon kjo punë, por do tallen njerëzit. Se do thonë këtë Fazlliçin e keni lënë pa paguar taksa për miliona euro, kurse dadove të shkreta iu merrni taksat.
- Jo, me thënë të drejtën as Fazlliç s’ka për të shpëtuar tani e tutje, por deri tani si dado ka qenë ai në shtëpi, se punët e shtëpisë bënte. Por tani e tutje do taksohet.
- Nejse, po qe se taksohet si dado, s’i vajtka shtrenjtë as atij, si person fizik do tatohet, - tha Flamuri.