Rriten përmasat e tragjedisë së Butrintit, zbulohen edhe dy të mbytur
Përmasat e tragjedisë së Butrintit duket se janë më të mëdha se sa parashikohej, teksa gjatë ditës së djeshme janë zbuluar edhe dy trupa të tjerë të mbytur, identiteti i të cilëve nuk dihet, teksa sërish nuk është gjetur 18-vjeçari Ndriçim Myftari, ndërkohë që mundësitë se ky i fundit mund të jetë gjallë sa vijnë dhe zvogëlohen. Tashmë shtohet frika se numri i klandestinëve që kanë qenë mbrëmjen e tragjedisë në varka mund të ketë qenë më i madh, teksa numrin e saktë të tyre mund ta japin vetëm ata që organizuan trafikun e klandestinëve. Ndërkohë, policia bëri të ditur se ka vënë në pranga dy prej organizatorëve të trafikut të klandestinëve, teksa ka shpallur në kërkim edhe katër të tjerë. Të dyshuarit si organizatorë të trafikut janë Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena dhe Ahmet Bushi.
Trupat e gjetur
Teksa pritej që ditën e djeshme të gjendej trupi i 18-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Myftari, palombarët kanë nxjerrë në sipërfaqe dy trupa të tjerë, duke shtuar kështu dyshimet se përmasat e kësaj tragjedie mund të jenë më të mëdha. Trupat e pajetë të viktimave, identiteti i të cilëve nuk dihet, janë nxjerrë gjatë mesditës së djeshme, teksa fati i 18-vjeçarit Myftari nuk dihet ende. “Nga kërkimet intensive të palombarëve të repartit RENEA, janë nxjerrë dy kufoma të mbytura, të paidentifikuara akoma. Dyshohet se dy të mbyturit janë shtetasit Festim Hoxha dhe Amarildo Kuka, nga qyteti i Fierit, por identifikimi i saktë i tyre pritet të bëhet nga familjarët”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp Policia e Shtetit. Fillimisht, u mendua se trupi i një prej viktimave i përkiste djalit të deklaruar të zhdukur, Ndriçim Myftari, por i ati i tij, që ndodhet prej ditës së tragjedisë në Butrint, pasi pa kufomën, deklaroi se trupi i pajetë nuk i përkiste djalit të tij. Ylli Myftari deklaroi se “kufoma e sapogjetur nga forcat RENEA nuk është trupi i tim biri. Viktima është rreth 30 vjeç, me pantallona xhins dhe me bluzë kafe. Me trup dhe moshë më të madhe se Ndriçimi ”. Ndërkohë, shtohet frika se numri i klandestinëve që kanë qenë në varkë natën e 19 tetorit, kur ndodhi edhe tragjedia, mund të jetë më i madh. Sakaq, kërkimet në ujërat e Butrintit janë ndërprerë pasditen e djeshme, për të rifilluar sërish sot në mëngjes. Pas nxjerrjes nga uji të dy trupave të mbytur, ka shkuar në 4 numri i viktimave të tragjedisë, ndërkohë që vazhdon të mbetet i zhdukur adoleshenti Ndriçim Myftari. Në lidhje me fatin e këtij të fundit, policia bëri të ditur se ka shumë mundësi që ai të jetë mbytur. “Nga deklarimet e personave të shoqëruar, hidhen dyshime se mund të jetë mbytur edhe shtetasi Ndriçim Myftari, i cili është në kërkim dhe deri në këto momente, me gjithë kërkimet e kryera në ujë dhe terren, nuk është bërë e mundur gjetja e tij”, - tha policia.
Arrestimi i trafikantëve
Policia e Shtetit bëri të ditur dje se ka identifikuar përfundimisht të dyshuarit si autorë të organizimit të trafikut të klandestinëve, që solli edhe tragjedinë e Butrintit, me katër viktima dhe një të zhdukur deri më tani. “Deri në këtë moment janë shoqëruar dhe pyetur në komisariatin e policisë 27 persona. Nga deklarimet e tyre rezulton se organizatorët, rekrutuesit, transportuesit dhe strehuesit e këtyre shtetasve që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, janë shtetasit Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena dhe Ahmet Bushi”, - bëri të ditur në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit. Mësohet se dy prej tyre kanë përfunduar nën prangat e policisë, teksa katër të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim. Policia bëri të ditur se zyrtarisht nuk ka të dhëna të sakta për numrin e tyre, teksa një gjë e tillë mund të mësohet vetëm nga organizatorët e trafikut të klandestinëve. Kjo, duke qenë se klandestinët kanë qenë nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe nuk njiheshin me njëri-tjetrin, çka do të sillte edhe identifikimin dhe saktësimin e numrit të klandestinëve të zhdukur. Sakaq, për tragjedinë e Butrintit është krijuar edhe një grup i posaçëm hetimor, i cili pritet që të zbardhë gjithë rrjedhën e ngjarjes së rëndë. “Ky grup kryesohet nga prokurori i rrethit gjyqësor, Sarandë, në përbërje të të cilit janë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të policisë së Sarandës dhe drejtues të sektorit të anti-trafiqeve në Policinë e Shtetit”, - bëri të ditur policia në një deklaratë për shtyp.
Tragjedia
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, ku një grup prej 25 vetësh tentuan që të kalonin për në Greqi me anë të dy varkave. Për t’iu shmangur postbllokut të shërbimeve të policisë kufitare, të cilat qëndrojnë pranë vendit të quajtur “Lundra”, klandestinët kanë marrë varkat pas parkut, tek ish-peshkimi, në vendin e quajtur “Bufi”. Të ndarë në dy varka, ata janë nisur për në Xarrë, por, fatkeqësisht, pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga varkat është përmbysur, duke i hedhur në ujë të gjithë personat që ndodheshin në të. Sipas dëshmive të para të dhëna në rajonin e policisë së qytetit të Sarandës, mësohet se shkak për përmbysjen e varkës ka qenë qarja e fëmijës tremuajshe, Klara Jaho, e cila fatkeqësisht gjeti edhe vdekjen mbrëmjen e së dielës. Mësohet se fëmija ka filluar të qajë në momentin që varka me 13 klandestinë ka qenë duke kaluar pranë postbllokut të policisë. Në këtë çast, drejtuesi i varkës i ka ulëritur fëmijës që të pushojë, me qëllimin për të mos u diktuar nga rojet kufitare të policisë. Por, i ati i fëmijës, Dritan Jaho, ka reaguar në këtë moment, duke qëlluar me grusht drejtuesin e varkës, çka ka sjellë më pas edhe humbjen e kontrollit të varkës nga ana e këtij të fundit. Brenda pak sekondash varka është anuar dhe të gjithë klandestinët që gjendeshin në të e kanë parë veten të zhytur në ujë. Nga të 13 personat që gjendeshin në varkë, 21-vjeçarja Elvira Jaho, së bashku me vajzën e saj tremuajshe, Klarën, nuk kanë mundur dot që ta dalin në sipërfaqe, teksa për pasojë kanë gjetur edhe vdekjen. Sakaq, nuk dihet ende edhe fati i 18-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Myftari, i cili ka qenë në varkën që u mbyt. Nga hetimet e deritanishme, rezulton që barka e përmbysur të ketë qenë prej druri dhe përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve. Pas konstatimit të ngjarjes, mësohet se kanë ndërhyrë menjëherë punonjësit e patrullës së policisë kufitare, duke shpëtuar shtatë prej personave. Më pas, në vendin e ngjarjes mbërritën përforcime të shumta, katër ambulanca dhe rreth 50 efektiva policie.