E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, një problem jo i politikanëve, por i gjithë shoqërisë shqiptare

Nga Besim Ndregjoni*

Çështja e hapjes së dosjeve është një çështje, e cila më shumë sesa një mjet për vendosjen në vend të një të drejte legjitime, atë të “dënimit” të autorëve të ushtrimit të gjenocidit, shërben si mjet për presion politik nga forca të ndryshme politike. Odiseja e dosjeve është mjaft e gjatë, një hap konkret u bë vetëm në 1996 me komisionin “Mezini”, por që dështoi për faj të politikës, e cila, për të mbuluar njërën apo tjetrën figurë, e la në heshtje këtë problem. Duke e parë nga ana morale ky problem është penguar për shkak të të ashtuquajturit reagim negativ social që do të sillte hapja e tyre, por më shumë për interesa të një klase politike postkomuniste, e cila ka përdorur interesat e saj të pushtetit sesa ballafaqimin me të vërtetat tragjike të një diktature që nuk kishte asgjë të përbashkët me pushtetet komuniste në Evropën Juglindore, por vazhdonte gjenocidin mbi kundërshtarët e saj, siç ishim ne, të përndjekurit politikë shqiptarë, që kaluam një kalvar vuajtjesh, traumash, përçmimesh, fyerjesh, degradimi, sot e pabesueshme për shoqërinë apo miqtë e vendit tonë.

Shqipëria mund të jetë vendi i vetëm ish-komunist, i cili nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga “mbeturinat” e Sigurimit të Shtetit, të cilat më shumë se kurrë, sot janë më të rrezikshme. Do të ishte më mirë që hapja e dosjeve të kalonte fillimisht në një rrugë vetëdeklarimi për një periudhë të caktuar kohore, e pasuar kjo me një dorëheqje nga politika, nëse është pjesë e saj, duke sqaruar kushtet që e detyruan për t’u bërë pjesë e makinës së gjenocidit, rolin përkatës dhe më pas të bëhej deklarimi publik i atyre që e dyfishojnë fajin ndaj popullit shqiptar me anë të heshtjes. Pra, problemi kryesor në Shqipëri nuk qëndron te mungesa e dëshirës për t’i hapur, por te fakti se për çfarë funksioni shërben kjo dëshirë.

Politika i mëshon me forcë hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët, por asnjëherë në këto 15 vjet nuk është marrë në shqyrtim seriozisht fakti se:

Cilët ishin përgjegjësit kryesorë të zbatimit të skemës staliniste-enveriste të ngritjes së një pushteti komunist, që vendet e Lindjes së Evropës e kishin dënuar që në vitin 1956.

Cilët ishin ata që me zellin e tyre vunë në praktikë këtë skemë të veçantë në llojin e vet.

Cilët ishin ata që injorancën e tyre e vunë në zbatim të eliminimit të klasës së intelektualëve, duke patur si postulat shprehjen “Armik i popullit dhe i Partisë”.

Përpara se të kërkohet hapja mekanike e dosjeve të bashkëpunëtorëve, duhet hapur njëherë dosja e asaj ideologjie që u injektua te këta bashkëpunëtorë, të bëhet një analizim i të gjithë përmbajtjes së saj për të arritur në një përfundim produktiv të shkakut dhe pasojës. Vetëm duke bërë një analizë të lidhjes shkak-pasojë në rrugë profesionale dhe nga njerëz që do e realizojnë atë me objektivitet, larg pasioneve dhe subjektivitetit, do arrihet që të krijohet një tablo e qartë se çfarë do të kërkohet të arrihet nga hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve.

Asnjëherë deri më sot nuk janë analizuar shkaqet që çuan në hartimin e skemës së komunizmit shqiptar si një lloj i veçantë. Analizimi ka ngelur vetëm në stadin e hipotezave apo dyshimeve të shpërndara, të cilat rrallëherë kanë një lidhje kronologjike dhe logjike të ngjarjeve, gjë e cila ka ngritur një tymnajë mbi opinionin publik, i cili një ditë lexon një dokument, ku X evidentohet si komunist apo nacionalist i orëve të para, kurse të nesërmen shfaqet në kahun e kundërt. Kjo është një tymnajë ideologjike e demagogjike që përdoret më fort se kurrë nga politika shqiptare, e cila, si pjellë e atij regjimi, e përdor këtë ideologji për pushtet dhe jo për t’i shërbyer të vërtetës dhe demokracisë.

Shteti shqiptar në vitet e demokracisë ka ratifikuar shumë konventa për të drejtat dhe liritë e njeriut, përfshi Konventën e OKB “Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera të egra, çnjerëzore dhe degraduese”.

Në kuadër të tregimit të seriozitetit të shtetit shqiptar për implementimin e kësaj konvente, duhej bërë një deklaratë, ku të vërehej rëndësia e saj për Shqipërinë, vend në të cilin vetëm neni 1 i saj ishte shkelur me të dyja këmbët dhe që përgjegjësia për këtë më shumë se te fenomeni i vihet individit, pavarësisht se është individi që e nxjerr fenomenin.

Për eksperimentin komunist alla shqiptar duhet gjetur profesori, asistentët e tij dhe infermierët dhe mund të themi që studimi i krimit komunist më shumë do të vlejë për të parë shkaqet e zhvillimit të eksperimentit, kushtet e zhvillimit të tij dhe cili ishte synimi që tentohej të arrihej nga ai.

Kjo analizë nuk mund të realizohet me shkrime sporadike gazetash apo botime kujtimesh bruto nga “kaviet e eksperimentit” komunist apo eksperimentuesit, të cilët sot shfaqen në shtyp me “lëkurën e qengjit”, por me anë të asaj analize që u përmend më sipër.

Në kuadër të kësaj analize, duke shfrytëzuar dëshmitë e atyre që i mbizotëruan “eksperimentit” dhe të atyre që në një mënyrë apo një tjetër u bënë pjesë aktive apo inaktive e tij, jo në mënyrë sporadike, por me një kronologji kohore dhe veprimtarie, duhet hartuar një skemë e funksionimit të këtij mekanizmi, dhe përcaktimit të pozicionit të levave bashkëvepruese si Sigurimi i Shtetit, Komisioni shtetëror i Dëbim-Internimeve, organizatave bazë të partisë, hetuesia, sistemi gjyqësor etj,. të cilat ishin të gjitha institucione të krimit nën urdhrat e komiteteve të partisë në rrethe, dhe Komitetit Qendror në qendër.

Për t’u theksuar është se duhet bërë një kategorizim dhe një vlerësim real i pozicionit të gjithsecilit, pavarësisht se numri i bashkëpunëtorëve është i madh dhe kjo do të kërkojë një punë kolosale. Ky proces do të shërbejë për të krijuar një tablo të plotë se kush u bë pjesë e mekanizmit totalitar, sepse e ndiente si pjesë të jetës apo për të arritur një qëllim të caktuar dhe kush u bë pjesë e tij, sepse gjatë kohës që ai vetë ndodhej nën trysninë e dhunës fizike dhe psikike, shihte që prindi, motra, vëllai, fëmija apo një i afërm tjetër ndodheshin në një pozitë më të rëndë se ai, vetëm se këtij të fundit i kërkohej që të bëhej pjesë e mekanizmit të eksperimentit.

“Spiunët në çdo moment janë të dëmshëm, por spiunët e burgut janë më të poshtrit” (Referenca). Për sa i përket kësaj shprehjeje ekzistojnë rezerva, sepse ka individë që e kanë bërë këtë poshtërsi, sepse me të vërtetë kanë qenë të tillë, por ka patur edhe nga ata që e kanë nënshkruar “kontratën e njëanshme të spiunit” me Sigurimin e Shtetit për të mos parë fëmijën apo çdo të afërm duke u torturuar nga xhelatët me veshje moderne, por me teknika mesjetare.

Ka më shumë se dy vite që A. K. E. ka aprovuar Rezolutën për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, dhe Shqipëria që vuajti më shumë se çdo shtet tjetër në Evropë hesht ndaj dënimit të këtyre krimeve monstruoze dhe çnjerëzore, ndaj gjenocidit të shkatërrimit të 30% të popullsisë që u masakrua nga këto krime. Ndërgjegjësimi është libri më i mirë moral që kemi, me të cilin duhet të këshillohemi më shumë. Lind pyetja: A është e qetë ndërgjegjja jonë, kur flitet për krimet e komunizmit shqiptar?

5577 burra të pushkatuar me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”

450 gra të pushkatuara me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”

26.768 persona të burgosur si “armiq të popullit dhe partisë”

7.367 gra të burgosura si “armiq të popullit dhe partisë”

998 burra dhe 45 gra të vdekura në burgjet politike

308 burra dhe gra të çmendura nga torturat si “armiq të popullit dhe partisë”

50.000 familje të internuara dhe pjesa më e madhe fëmijë dhe pleq, nga të cilët 7.022 kanë vdekur në kampet moçalore, një version shqiptar i gulagëve siberianë leninistë-stalinistë, si “armiq të popullit e të partisë”

Studime jo të plota tregojnë se çdo tri ditë një shqiptar ekzekutohej me ose pa gjyq për motive politike. Çdo javë një i burgosur politik vdiste në burg nga torturat. Çdo dy ditë internoheshin tre persona për motive politike. Çdo 2 muaj një i burgosur politik pësonte gjymtime trupore për shkak të keqtrajtimit në hetuesi, burg ose kamp përqendrimi.

Ndërsa 3 milionë shqiptarë jetonin me frikën e përhershme të persekutimit pa ligje. Lista është e gjatë.......

Në diktaturë veprohej dhe mbahej në këmbë kjo skemë: Diktator - Institut Marksist&Leninist - Sigurim i Shtetit. Jo pa qëllim në krye të institutit ai kishte bashkëshorten e tij, e cila përveç besnikërisë kishte të drejtën dhe të kontrollit të materialeve që prodhoheshin dhe shpërndaheshin nga ky institut. Mijëra leksione udhëzonin se si të shtypej mendimi i lirë, ekonomia e tregut dhe si të përgatiteshin kuadro për të mbajtur politikisht diktaturën. Nga ky institut do të shpërndaheshin volume të tëra, si brenda, dhe jashtë vendit; literaturë për sofistikimin e mekanizmit të funksionimit të diktaturës.

A u dënua ky institucion i krimit në pluralizmin politik? Jo, me keqardhje konstatojmë se lektorë të këtij instituti janë pjesë përbërëse themelore e politikës pesëmbëdhjetëvjeçare pluraliste dhe janë të shpërndarë me funksionet e tyre si në parti politike, diplomaci apo institucione kushtetuese.

Strategjia e këtij institucioni synoi dhe realizoi depersonalizimin e individit dhe shkatërrimin e familjeve fisnike që kishin dhënë gjithçka për kombin, por që ishin kundërshtarë të regjimit. Stacionimi i strukturës u përqendrua në veprime psikologjike, fizike dhe ekonomike. Në ambientin ku jetonin dhe punonin këta qytetarë, ushtrohej dhunë psikologjike ndaj intelektit dhe përçmohej personaliteti dhe publikisht qytetarët kundërshtarë të këtij regjimi, pavarësisht nga dija, arsimimi apo qytetaria që kishin, ishin të detyruar të provonin këto trauma përçmimi psikologjike e fizike. Organizoheshin të ashtuquajturat mbledhje popullore, në të cilat çdo qytetar kundërshtar atakohej psikologjikisht ose do të etiketohej me nofkën armik dhe bashkëpunëtor i imperializmit. Një pjesë të mirë të popullsisë do t’i ndalohej dhe votimi.

Policia sekrete e quajtur Sigurimi i Shtetit në kohën e diktaturës në fillimet e pluralizmit do të deklarohej publikisht sikur u dënua, por strukturat e tij ishin dhe janë ende të pacenuara.

Kërkesa e shoqërisë civile insiston në hapjen e dosjeve për të zgjedhur politikanë të pastër moralisht dhe politikisht, por kjo gjë te ne nuk ndodh. Komunistizimi nuk e lejon, e anashkalon këtë problem madhor të pastërtisë së politikanëve. Dhe këtu në mënyrë të fshehtë apo të hapur, u përmendën dosjet atyre që kërkojnë dekomunizimin e politikës aktuale.

Sigurisht, pa u dënuar strukturat e Sigurimit të Shtetit që kanë përgatitur dosjet, nuk mund të shkëputen politikanët nga komunistizimi.

Të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë këtij 18-vjeçari nuk u zbatuan për ish-të përndjekurit politikë, të cilët luftuan një gjysmë shekulli për to. Politika e komunistizuar luan rolin më negativ në këtë drejtim. Ajo dezinformon komunitetin ndërkombëtar për këtë shtresë që është 1/3 e popullsisë dhe i sjell asaj dëme të pallogaritshme në integrimin e shoqërisë.

Bazuar në rezolutën A. K. E., si dhe në konventat ndërkombëtare për dënimin ndërkombëtar të krimeve të komunizmit, në emër të të përndjekurve politikë të Shqipërisë bëjmë me dije këtë konferencë se në kuadër të hapjeve të dosjeve, drejtuesve të shtetit shqiptar iu është kërkuar:

1. Të dënohet dhe t’i hiqen titujt diktatorit më kriminal në të gjithë Evropën, Enver HOXHËS, për gjenocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar për 45 vjet.

2. Të ngrihet Komisioni i Hetimit dhe Dokumentimit të Krimit Komunist (i pavarur nga politika). Ai të hapë arkivat e të publikohen dokumentet e krimeve komuniste 45-vjeçare. I kujtojmë politikës aktuale se me një ligj që keni bërë për dëmshpërblimin tonë me pinjollët e atyre që keni futur në parlament duke deformuar votën tonë, bijtë e atyre që na kanë shkaktuar gjenocide ndaj nesh, ju i keni hapur dosjet tona, prandaj ne kërkojmë urgjentisht të hapen të gjitha dosjet, ju sigurojmë se nuk ka asnjë konflikt social siç pretendohet nga politika, se ne që kishim të drejtë të hakmerreshim ndaj krimeve të djeshme, nuk u hakmorëm, duke mos rënë në kënetën e krimit dhe të hakmarrjes, prandaj çdo pretendim i politikës është i pabazë, refleksion i tyre për të mos publikuar krimet komuniste.

3. Të fillojë menjëherë dëmshpërblimi bazuar në Kushtetutën e këtij vendi dhe jo të kërkohen dokumente burokratike dhe në kundërshtim me statusin tonë kushtetues për të shtyrë afate. Këto janë detyrime të sistemit ku aderojmë me kombet e tjera demokratike dhe jo se ne u masakruam që të dëmshpërblehemi.

4. Qeveria të aprovojë një fond të veçantë financiar për të gjetur trupat e 4500 qytetarëve shqiptarë që janë pushkatuar pa gjyqe, që këta të kenë një varr ku familjet e tyre t’i përkujtojnë.

5. Ftojmë mediat të ndalojnë promovimin e nomenklaturës së diktaturës, se kështu i shërbejnë pajtimit kombëtar dhe jo ndarjes dhe urrejtjes, gjithashtu i ftojmë që të promovojnë e dokumentojnë krimet e komunizmit që shoqëria të mos njohë viktimizim, por vetëm dashuri e vëllazërim.

6. Të implementohet dhe të zbatohet menjëherë rezoluta e AKE dhe parlamentit shqiptar për dënimin ndërkombëtar të dënimit të krimeve të komunizmit.

7. Të gjithë të pushkatuarit të shpallen Dëshmorë të Atdheut, se u vranë për demokracinë dhe të varrosen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nuk mund të ketë Ditë Dëshmorësh për komunizëm, dhe jo për demokracinë.

8. Të hiqen simbolet e komunizmit në vendet publike.

9. Të vendoset në kryeqytet Memoriali kushtuar mijëra shqiptarëve që u masakruan nga diktatura komuniste.

10. Të fillojë menjëherë dhënia e pronës pronarit të ligjshëm dhe të ndalet politika e Katovicës si ndaj të përndjekurve politikë, dhe ndaj pronarëve të ligjshëm, dhe për votimet e vitit 2009 të bëhet referendum kombëtar për sistemin zgjedhor dhe mos të tjetërsohet vota e votuesit, siç ka ndodhur gjate këtyre 18 viteve të pluralizmit.

* Sekretar i Përgjithshëm i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Fjala e mbajtur më 21 tetor 2008 në konferencën e organizuar nga ambasada gjermane për hapjen e dosjeve në Shqipëri dhe eksperienca e Gjermanisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›