Assad paralajmëron Perëndimin
Presidenti sirian, Bashar al-Assad, tha se kundërshtimi ndaj regjimit të tij është në rritje, por, megjithatë, shprehu bindjen se mund “të përmbahet”.
Në një intervistë për televizionin shtetëror, Assad paralajmëroi kundër intervenimeve ushtarake në vendin e tij, duke thënë se çdo intervenim i tillë do të dështojë.
Ai shprehu besimin se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në muajin shkurt, pas një sërë reformash që lejojnë grupet tjera politike, përveç Partisë Bath, të marrin pjesë në proces.
Assad po përballet me thirrjet e Perëndimit për të dhënë dorëheqje, për shkak të shtypjes së protestave, në të cilat, sipas Kombeve të Bashkuara, kanë humbur jetën rreth 2 mijë civilë.
Në ndërkohë, një delegacion i OKB-se shkoi në Siri, për të vlerësuar nevojat humanitare, ndërsa forcat e sigurisë vazhdojnë të shtypin protestuesit anti-qeveritarë.
Ata janë lejuar të ndalojnë në të gjitha zonat e trazuara, por analistët janë skeptikë nëse do të jetë e lirë lëvizja e tyre.
Në anën tjetër, forcat opozitare u takuan në Stamboll për të koordinuar lëvizjet e tyre dhe për t’u përgatitur për marrjen e pushteti në rast të largimit të presidentit Assad.