Ylli Pango fiton 1 euro nga France 24!
Shtohet për 1 euro pasuria e Ylli Pangos.
Një pagesë që do t’i bëhet nga televizioni FRANCE 24, për shkak se ka publikuar në vitin 2009 atë që tashmë njihet si video-skandali “Pango”.
E njëjta video për të cilën televizioni shqiptar “Top Channel” u dënua me 400 mijë euro.
Dy dënime të ndryshme nga dy gjykata të ndryshme, në shtete të ndryshme.
Dhe diferenca e këtyre ndryshimeve është plot 399 mijë euro… Një shumë e konsiderueshme, që burimin e ka nga ajo, që në fillim u prezantua si vajza X, ose “Vajza e mbërtheckave”, deri në zbulimin e identitetit të vërtetë, gazetarja Alkida Budini.
Me kamera të fshehta në trup, e infiltruar qëllimisht, ajo kërkonte punë në shtëpinë e Ylli Pangos, ministër Kulture në atë kohë.
Videoja u shfaq për herë të parë në televizionin “Top Channel” dhe më pas u hodh nëpër sajte interneti, që siç duket kanë depërtuar deri në televizionet e huaja.
Pas një beteje ligjore 3-vjeçare, gjykata franceze ka vendosur të dëmshpërblejë ish-ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, që mbajti këtë post nga viti 2007-2009.
Ashtu si edhe në Gjykatën e Tiranës me rastin e “Top Channel”, prof.dr Pango ka kërkuar gjobitjen e televizionit francez FRANCE 24.