E Diel, 1 Nëntor 2026

Astri Isai: Akuzat e Elbasanit nuk janë të vërteta

15/03/2005  Pas zhvillimit të ndeshjes së të shtunës, klubi i Shkumbinit është mbledhur dhe ka dalë me një deklaratë për shtyp. Në këtë deklaratë klubi peqinas akuzon drejtuesit e Elbasanit si përgjegjës për lindjen e konfliktit, si dhe përgënjeshtron akuzat e elbasanllinjëve ndaj Shkumbinit. Për të komentuar ngjarjet e fundit “Metropol Sport” kontaktoi me shefin e klubit të Shkumbinit, Astrit Isai. “Ne jemi mbledhur dhe kemi dokumenta dhe fakte se shumë gjëra që janë thënë në shtyp nuk janë të vërteta, është shprehur Isai. Shkumbini do t’u shkojë gjërave deri në fund, për të zbardhur të vërtetën. Kjo sepse aty shumë gjëra janë shpifje dhe duan si e si të na hedhin poshtë djersën tonë, që kemi dhënë në fushën e lojës. Klubi i Shkumbinit i ka bërë një kërkesë federatës për të parë gjendjen nga afër për dëmet që janë shkaktuar në dhomat e zhveshjes së futbollistëve të Elbasanit, të cilët me harbutërinë e tyre shkatërruan gjithshçka brenda. Është për të ardhur keq, pasi ato ambjente janë inaguruar disa javë më parë dhe ne kishim investuar një shumë të konsiderueshme për t’i bërë këto ambjente sa më komode për vetë futbollistët”. Më tej Isai theksoi, se klubi i Shkumbinit është i gatshëm që për të gjetur të drejtën e tij të përdori të gjitha mënyrat që i mundëson legjislacioni shqiptarë. “Ne do të hapim padi dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me instancat përkatëse, tha shefi i klubit peqinas. E theksoj edhe një herë se ne duam që të zbardhet gjithçka e të shkojmë deri në fund, pasi nuk i meritojmë të gjitha ato që janë shpifur për ne, në mënyrë të padrejtë”. Në përfundim të intervistës së tij për “Metropol Sport” Isai nënvizoi se: “Asgjë nga ato që kanë ndodhur në Peqin, në ndeshjen e së shtunës, gjithsesi nuk kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjes, i cili foli vazhdimisht në favorin tonë. Gjithashtu dua të vë në dukje, se Elbasani në gjithë pjesën e parë nuk e rrezikoi asnjë herë portën tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›