Elbasani i vendosur në bojkot
15/03/2005 Presidenti i klubit të Elbasanit, Arben Laze është shprehur i paepur për të mos ndryshuar vendimin e marrë. Sipas këtij vendimi verdheblutë do të bojkotojnë aktivitet e Superligës dhe të Kupës së Shqipërisë, deri në marrjen e masave nga federata për atë që ndodhi në Peqin. Në një prononcim për “Metropol Sport”, Laze ka bërë të ditur se është vendosur përfundimisht që të bojkotohet ndeshja e së mërkurës për Kupën e Shqipërisë me Teutën. “ Ne do ti përmbahemi vendimit tonë dhe do të bojkotojmë ndeshjen e së mërkurës me Teutën, ka deklaruar presidenti i Elbasanit. Në vend të këtij takimi, Elbasani do të zhvillojë një takim miqësor në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Ekipi kundërshtar në këtë takim miqësor ka shumë mundësi që të jetë një ekip i huaj i një vendi fqinj”. Gjithashtu në këtë takim ka për të spikatur edhe një dukuri e rrallë për futbollin shqiptar. Sipas Lazes: “ky takim do të gjykohet nga një treshe gjyqtare femrash dhe do të zhvillohet nën moton Fair Play, për futbollin shqiptar”. Kjo iniciativë është për t’u përshëndetur, pasi sjellë një risi dhe një frymë pozitive për futbollin tonë. Por nga ana tjetër, dita në të cilën zhvillohet ishte e programuar për një takim të Kupës së Shqipërisë. Me sa duket klubi verdheblu është i vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj historie dhe nuk trembet nga pasojat që mund të ketë. Para dy ditësh klubi i Elbasanit ka deklaruar, se në se nuk merren masa ndaj Shkumbinit për ndeshjen e së shtunës, ata do të bojkotojnë çdo aktivitet. Madje presidenti i klubit, Laze ka kërcënuar se në se nuk e gjen të drejtën nga FSHF do ta çojë këtë çështje deri në organet e UEFA-s. Tashmë pritet të shihet se si do të rreagojnë FSHF ndaj këtij veprimi të Elbasanit.