Astrit Patozi: Platformë e Edi Ramës, për të bllokuar reformat dhe presidentin

Negociatori demokrat: Mundësi konsensusi në raundet e ardhshme
Kryetari i grupit parlamentar demokrat dhe njëherazi negociatori për zgjedhjen e Presidentit, Astrit Patozi tha dje se zgjedhja e presidentit nuk është një proces i bllokuar, pavarësisht platformës së Edi Ramës për të penguar reformat dhe integrimin.
Patozi theksoi se refuzimi i socialistëve për emrin e kandidatit të mazhorancës, Xhezair Zaganjori lidhet me vendimin e kryesocialistit Rama për të bllokuar çdo proces në Shqipëri.
“Platforma e Ramës është për të bllokuar reformat dhe presidentin. Tre ditë më parë u ulëm në tryezë na u kërkua që procesi të futej në rrugë pa krye duke kërkuar ultimatume. Sot erdhëm me propozim real dhe të formalizuar tashmë nga aleatët qeverisës, i cila i plotësonte kushtet për të qenë president konsensual, kurse Rama refuzoi kandidaturën”, u shpreh Patozi pas takimit me homologun e tij socialist, Gramoz Ruçi.
Ai theksoi se takimi i la shije të hidhur dhe se mazhoranca do konsumojë të gjitha përpjekjet e saj, që opozita t’i thërrasë arsyes. Kreu i grupit kuvendor demokrat u shpreh gjithashtu i bindur se pas dështimit të raundit të parë të votimit të presidentit janë të gjitha mundësitë që në raundin e dytë të zgjidhet një president konsensual.
“Kur ne ishim teorikë na u tha se duhet të ishim konkretë, kur u bëmë konkret na tha se nuk duam një noter politik. Refuzimi kategorik nuk ishte befasues por më la shije të hidhur. Përgjigja e ashpër e PS e bën të dështuar raundin e parë. Mendoj se mazhoranca ende duhet të konsumojë përpjekjet e saj që ta bindë opozitën që të përfshihet edhe ajo në proces. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që në raundin e dytë të kemi një president konsensual”, tha Patozi.