Dita/Pritet rishikimi i buxhetit për të ulur riskun që vjen nga kriza globale

Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi dje se qeveria do të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2012. “Do të rishikojmë zhvillimet e 6-mujorit të parë dhe perspektivën për 6-mujorin e dytë në një kontekst konkret faktik. Do të vijojmë të rishikojmë kuadrin tonë makroekonomik, objektivat për vitin 2012 në përputhje me zhvillimet globale rajonale dhe për më tepër edhe zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare”, u shpreh Bode.
Sipas tij, të ardhurat konkrete kanë rezultuar me një rritje pozitive ndryshe nga ekonomitë e rajonit tonë. “Dihet që viti 2012 është një vit i vështirë për shkak të zhvillimeve në eurozonë dhe impaktit që ka kriza e eurozonës në vendet e rajonit tonë. Zhvillimet në ekonomitë e Greqisë, Italisë, por edhe më gjerë sigurisht nuk do të kalojnë pa lënë gjurmë edhe në ekonomitë e rajonit, dhe atë tonën”, deklaroi Bode.
Kreu i Financave tha se zhvillim pozitiv është dhe fakti se për periudhën katër mujore kemi një rritje pozitive të të ardhurave të buxhetit të shtetit, por nënvizoi Bode, jo në përputhje me objektivat tanë me një diferencë prej 3-4 për qind dhe kjo na bën që të jemi të kujdesshëm në programimin për 6-mujorin e dytë të vitit që vjen.
Në kushtet e krizës globale, ekonomia vazhdon të rritet/Gjatë viteve të fundit, ku ekonomia botërore hyri në një recension duke shënuar një tkurrje me rreth 1për qind, ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore dhe Azisë Qendrore vijuan të rriten me një ritëm pozitiv rritje. Në konferencën rajonale të dialogut ndërkombëtar për taksat “Transferimi i Çmimit në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, ministri i Financave, Ridvan Bode vuri në dukje se, “pavarësisht se kriza globale ka frenuar ndjeshëm qarkullimin e kapitalit në botë, vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore sërish kanë mundur të sigurojnë flukse të rëndësishme të kapitalit edhe përgjatë kësaj periudhe të vështirë. “Investimet e huaja direkte kanë vijuar të hyjnë në ekonomitë tona edhe përgjatë viteve të krizës 2009 – 2011 dhe ato kanë qenë mesatarisht në nivelin e 3 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto”, tha kreu i financave publike.
Në Shqipëri, sipas tij, fluksi i investimeve të huaja direkte (IHD) është rritur ndjeshëm, nga rreth 250 milionë euro në vitin 2006, në rreth 850 milionë euro në vitin 2011. “Pra janë më tepër se trefishuar. Investimet e huaja direkte janë zhvilluar pavarësisht nga tendencat globale dhe rajonale gjatë krizës ekonomike dhe financiare, duke dëshmuar për një rritje të vazhdueshme”, nënvizoi ai.
Është fakt që prezenca e kompanive multinacionale në ekonomitë tonë është dominuese dhe me efekt të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit dhe si kontributorë të rëndësishëm në të ardhurat tona buxhetore.
Sipas Indeksit të Performancës së IHD-ve të UNCTAD-it për vitin 2009, vijoi më tej Bode, Shqipëria renditet në vend të 25-të nga 141 vende, gjë që përfaqëson një përmirësim të shpejtë nga pozicioni i 80-të që Shqipëria mbante në vitin 2006.