E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata/Ilir Meta: “S’është koha për kushtet e PS, jemi në procesin e Presidentit”

31-05-2012 / Gazeta 55

Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar në seancën e parë për presidentin e ri të vendit se është koha që t’i jepet vendit një president që bashkon sa më shumë.
Sipas tij propozimi i mazhorancës për Xhezair Zaganjorin është përpjekja për të vendosur një standard të ri në politikë. “Fakti që një propozim, sipas vlerësimit tim është tepër serioz, është bërë vetëm sot në mëngjes krijon një problem të rëndësishëm edhe me kohën, krijoi edhe paragjykime të pamerituara. Unë dua të vlerësoj angazhimin e mazhorancës, edhe pse të vonuar, për të hapur këtë proces dhe për të parë përtej vetes, për ta çliruar nga një politizim i tepruar, i cili kishte nisur prej muajsh, për shkak se kjo është tradita jonë dhe e të gjithëve, dhe për t’i dhënë vendit një president që bashkon sa më shumë. Mendoj se është bërë shumë mirë që është bërë një propozim për një kandidat konkret dhe kjo tregon seriozitet, pasi janë diskutuar shumë kandidatë të tjerë dhe në këtë mënyrë, mazhoranca ka dhënë një standard. Pra një standard për disa nga tiparet dhe cilësitë që do të kishte presidenti i ri i vendit”, u shpreh Meta.
Ai theksoi se kandidatura e Xhezair Zaganjorit është shumë e mirë, një person me përgjegjësi, profesionalizëm, dhe atdhetarizëm, por kujtoi se koha e shkurtër ka bërë që kjo kandidaturë të mos vlerësohet. 
“Dhe e vërteta është sesi rrallë për ndonjë kandidat tjetër, sepse jam i sigurt që Shqipëria ka burra dhe gra shumë të aftë për ta bërë këtë detyrë me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe atdhetarizëm, kandidati konkret gërsheton përvojën diplomatike, pra atë të përfaqësimit ndërkombëtar të vendit që është një nga detyrat kryesore dhe për vetë Presidentin, përvojën në fushën e gjyqësorit dhe dihet që një nga sfidat kryesore dhe një nga detyrat kryesore të Presidentit shtrihet në këtë fushë, dhe së treti edhe përvojën akademike duke dhënë një mesazh të qartë që politika ka vullnetin të shikojë edhe përtej vetes për të dhënë një dimension të ri të institucioneve nga më të rëndësishmet të vendit. Mendoj që ndoshta koha e shkurtër e ka bërë të pamundur për të bërë një vlerësim objektiv dhe më realist të kandidaturës në fjalë ndaj dhe unë mendoj se në duhet të çmojmë me seriozitet procesin ku kemi hyrë dhe njëkohësisht kjo nuk do të thotë se opozita nuk ka të drejtë të propozojë nga ana e saj pasi ky është një proces i dyanshëm. Po e theksoj me bindje se kandidati dhe cilësitë e tij janë tepër serioze për tu vlerësuar me seriozitet maksimal. Ne mund të kishim paraqitur edhe një listë të gjerë me emra por kjo nuk do të ishte, ndoshta, shumë serioze”, tha ai.
Sa i përket 3 pikave të propozuara nga PS-ja, Meta theksoi se, “ato duhej të ishin zgjidhur, por fakti që kemi hyrë në një proces konkret mendoj se duhet të përqendrohemi tek kjo pasi zgjidhja me sukses i këtij procesi do të bëjë që të zgjidhen edhe këto çështje”.
“Lidhur me tre çështjet e tjera ne i kemi theksuar për një kohë të gjatë dhe këto tre çështje duhet të ishin zgjidhur por fakti që tani kemi hyrë në një proces tjetër shumë konkret, kur edhe vendi, edhe qytetarët, edhe partnerët presin zgjidhjen e këtij problemi dhe e presin me një konsensus të gjerë, mendoj se duhet të përqendrohemi këtu dhe një zgjidhje e suksesshme e çështjes së presidentit do të na ndihmojë për një zgjidhje të shpejta edhe për çështjen e imunitetit, edhe për 2 reformat e tjera dhe për shumë reforma të tjera që presin për të bërë progres në mënyrë që edhe Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat”, tha më tej kreu i LSI-së, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›