E Hënë, 2 Nëntor 2026

At e bir 50 vite burg, vranë për një zgarë

30/04/2005  Preng e Florjan Nikolla ekzekutuan Pjetër Qafën. Djali gjykimmnë mungesë

TIRANË – Vranë për një zgarë mishi, dënohen me nga 25 vite burg. Preng dhe Florjan Nikolla, at e bir, ishin të ulur dje në bankën e të akuzuarve. Gjykata e Shkallës së Parë i deklaroi fajtor për veprën penale të vrasjes me paramendim, duke i dënuar përkatësisht me nga 25 vite heqje lirie. Pas pranimit të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit, at e bir, do të vuajnë nga 16 vite e 8 muaj burg secili.

Djali

Ndërkohë që djali i dytë i familjes Nikolla do të gjykohet në mungesë për të njëjtën vepër penale. Preng dhe Florjan Nikolla kanë pranuar bashkëpunimin në vrasje, por jo armëmbajtjen. Mbi viktimën Pjetër Qafa, sipas provave të akuzës, ka qëlluar djali tjetër i familjes, Altin Nikolla, i cili është hetuar dhe do të gjykohet në mungesë. Në gjykatë erdhën për t’u gjykuar tre të pandehur, babai me dy djemtë e tij. Prokurorja Lindita Ziguri kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurve dhe dënimin e tyre me nga 25 vite heqje lirie. Sipas akuzës, të pandehurit Altin, Florjan dhe Preng Nikolla në bashkëpunim me njëri–tjetrin kanë vrarë në Kamëz një vit më parë një kasap. Por është provuar dhe vërtetuar se ekzekutori ka qenë i pandehuri Altin Nikolla, i cili gjykohet në mungesë. Për të gjykimi është veçuar.

Vrasja

Vrasja ka ndodhur për motive fare banale. Të pandehurit i kishin kërkuar kasapit një zgarë për të pjekur mishin. Ky i fundit, pasi ia ka dhënë ka shpresuar se familja Nikolla do të blente mish në dyqanin e tij. Por nuk ka ndodhur kështu. Familja Nikolla jo vetëm që nuk ka blerë mish në dyqanin e viktimës Pjetër Qafa, por nuk i ka kthyer as zgarën. Kjo histori fare banale është kthyer në tragjedi. Vrasjen, sipas akuzës, Altin Nikolla e ka kryer në prani të djalit të viktimës. Gjithçka është parë e dëgjuar prej tij. Para gjykatës, të pandehurit që ishin të pranishëm kërkuan gjykim të shkurtuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›