E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria lejon importimin e gjakut

30/04/2005  Miratohen ndryshimet ligjore për të nisur importimi dhe eksportimi i gjakut

Gjaku do të vijë nga vende të Evropës Perëndimore, si Zvicra, Gjermania apo Danimarka

Importimi i gjakut, një mundësi tjetër që fëmijët, të cilët vuajnë nga anemitë kronike, nga talasemia, apo hemofilia, të mos vuajnë për gjak. Këshilli i Ministrave dje miratoi disa ndryshime të ligjit, duke i çelur rrugën importimit dhe eksportimit të gjakut dhe produkteve të paqëndrueshme të tij. Këto janë disa shtesa në ligjin “Për shërbimin e transfuzionit dhe kontrollin e gjakut dhe produkteve të tij”, të ndryshuar.

Ndërkohë, në këtë ligj do të përfshihet duke u bërë dhe taksative, parimi i promovimit të dhurimit vullnetar të gjakut, pa u kompensuar. Këto ndryshime janë propozuar në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe është patur parasysh legjislacioni i disa vendeve evropiane. Kostoja financiare parashikohet në rreth 26.000.000 (njëzetegjashtë milionë) lekë, e cila do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas qeverisë, kjo kosto parashikohet të vijë duke u ulur së bashku me promocionin që do të bëhet për të realizuar vetmjaftueshmërinë nëpërmjet dhurimit vullnetar, duke përdorur sa më pak gjak të importuar. Në Ministrinë e Shëndetësisë, para disa kohësh u ngrit një grup për të bërë ndryshimet përkatëse të ligjit.

Sipas drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Gjakut, Irena Qendro, të gjithë janë në një mendje, që ndryshimi dhe heqja e pengesës për importin e gjakut në Shqipëri duhet bërë patjetër. Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Parlament, Ferid Hoti, ka thënë disa muaj më parë se ky është një një hap i nxituar, pasi fillimisht duhet të shihen mundësitë reale në vend, në mënyrë që gjithçka të zgjidhet brenda vendit. Sipas Hotit, duhet të rishihen të gjitha burimet e gjakut në vend, pasi ato nuk administrohen si duhet. Nga ana tjeër, mund të ketë abuzime gjatë realizimit të importit. Megjithatë, specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se, importi s’do të ketë risk, pasi do të bëhet nga vende të Evropës Perëndimore, si Zvicra, Gjermania apo Danimarka, të cilat kanë dhënë prova për sigurinë e padiskutueshme të dhurimit që kanë. Greqia prej vitesh ka ndjekur përvojën e importimit të gjakut. Sipas mjekut hematolog, Arben Ivanaj, importi i gjakut është i domosdoshëm. Sipas tij, nuk është e drejtë që të cilësohej me importim, pasi në kohën kur pretendojmë të jemi pjesë e Evropës, të marrësh gjak nga një vend për ta sjellë tek ne, është si një sasi të caktuar gjaku ta shpiesh nga Tirana në Shkodër. Vetëm sëmundja e talasemisë në vendin tonë numëron 500 të sëmurë dhe sipas statistikave më të fundit, çdo vit, 20 lindje të reja rezultojnë me të njëjtin problem.

Do të zgjidhet oferta më e mirë

Lavanteria e pastrimi, spitalet e Tiranës i japin me koncension

Lavanteria dhe pastrimi në QSUT, në dy maternitetet e Tiranës dhe në Sanatorium, do të bëhen nga firma private dhe jo më nga vetë spitalet. Se cila firmë do të fitojë koncensionin, do të caktohet nga një grup ekspertësh, që do të shqyrtojë ofertat. Vendimi i djeshëm i qeverisë i dha fund debateve mbi dhënien me koncension të këtyre shërbimeve. Qeveria miratoi vendimin “Për fillimin e procedurave për dhënien me koncension të objektit ‘Shërbimi i lavanterisë dhe i pastrimit të brendshëm’ në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, Tiranë, Spitalin Universitar Obsetrik-Gjinekologjik nr.1 dhe nr.2 Tiranë dhe Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive, Tiranë”. Vendimi përcakton fillimin e procedurave të dhënies me koncension të shërbimit të lavanterisë dhe pastrimit të brendshëm në institucionet spitalore të Tiranës, QSU “Nënë Tereza”, Spitalit Universitar Obsetrik-Gjinekologjik nr.1 dhe nr.2 dhe Sanatoriumit. Koncensioni do të jetë i formës “BOT”, për një periudhë 5-vjeçare. Për shqyrtimin e ofertave do të ngrihet një grup pune, i cili do të bëjë vlerësimin sipas pikëve të përcaktuara në vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›