E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debate mes nxënësve, studentëve dhe prindërve

30/04/2005  Memushi studentëve: Shkaqet, elementët psikologjikë, media dhe shoqëria

Vetëvrasja

Një tendencë e çuditshme, moshat e reja kryejnë aktin makabër të vetëvrasjes. Nga ana tjetër, edhe Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë alarmin, duke publikuar se gjatë vitit të kaluar, 200 persona të moshave të ndryshme kanë vrarë veten. Ndërkohë vetëm katër muajt e fundit kanë ndodhur 6 vetëvrasje nga mosha 12 vjeç deri 23 vjeç. Ndërsa të moshave të ndryshme një në dy ditë. Këto raste kanë zgjuar diskutimet dhe mes vetë bashkëmoshatarëve të tyre dhe në këtë mënyrë janë ngritur pikëpyetje nga më të ndryshmet në kokat e vetë prindërve.

Studentët dhe nxënësit pyesin

Në seminarin e radhës në Fakultetin e Drejtësisë, studentët pyetën ministrin e Arsimit, Luan Memushi, lidhur me shtimin e rasteve të vetëvrasjeve në moshat e reja. Ministri përmendi disa udhëzime të ministrisë për frenimin e akteve apo ndërhyrjeve të paligjshme në misionin edukativ të shkollës. Ai renditi si faktorë që kanë nxitur këtë fenomen elementët socialë, psikologjikë, medias, shoqërisë etj. Këtë vit, ministria ka futur shërbimin psiko-social nëpër shkolla, për të frenuar veprime të tilla të pamenduara të adoleshentëve si dhe për shmangien e fenomeneve të tjera negative të shoqërisë, tha ministri Memushi.

“Dëshmitarët e Jehovait”,

shkrepës-hedhësja, por jo shkaku

“Gati në të gjitha rastet e vetëvrasjeve, ndodhur muajt e fundit, ka dalë i njëjti problem: fëmijët ishin frekuentues të ‘Dëshmitarëve të Jehovait’. A janë predikimet e Jehovait një prej shkaqeve të vetëvrasjes?”. “Kjo është një prej pyetjeve që më kanë bërë dhe mua nxënësit e shkollës. Dhe u kam shpjeguar se nuk është ai shkaku kryesor, madje mund të quhet fare mirë preteksti i aktit të vetëvrasjes, ndezësi. Shkaku është se këta fëmijë, në vetvete, ndjehen keq dhe mund të kenë probleme të tjera, krejt të veçanta nga ato çfarë mund të mendojmë ne, por predikimet për një botë ndryshe, për një botë më të mirë nga ajo në të cilën jetojnë, i ka nxitur që ata të fillojnë të mendojnë ndryshe për realitetin e tyre. Mendojnë se kjo është jetë kot, pa vlerë, këtu është ferr i vërtetë, unë duhet të shkoj në një vend tjetër dhe i barazojnë kështu predikimet që dëgjojnë për parajsën, botën e përtejme me veten e tyre, nga që nuk mund të plotësojnë në realitetin e tyre ato çfarë dëshirojnë. Por, vetë predikuesit, ‘Jehovai’ apo çfarëdo qoftë, duhet të kenë më kujdes me njerëzit me të cilët komunikojnë, ndryshe flitet me një 10-12-vjeçar dhe ndryshe me një 15 apo 17-vjeçar, duhet njohur psikologjia e tyre, në mënyrë që të dish çfarë duhet t’u thuash”, thotë punonjësi social, Alban Kano, i shkollës së mesme “Partizani”.

Nënat çoroditen

“Si duhet të sillem me fëmijën. Do t’ia ndaloj internetin deri 18 vjeç. S’do ta lë të frekuentojë asnjë sekt fetar dhe s’do t’i jap kurrë lekë me vete”, është qëndrimi ekstrem i një nëne të re, pas dëgjimit mbi rastet e vetëvrasjeve. Në fakt, janë ato që duhet t’i rrinë më afër fëmijët e tyre, ta vlerësojnë dhe mbi të gjitha të përpiqen në çdo moment ta kuptojnë.

Depresioni dhe vetëvrasja, sëmundje të shekullit

Zhvillimi shoqërohet dhe me probleme të individit dhe shoqërisë. “Në fakt, e gjithë bota, pavarësisht nga studimet apo ndërhyrjet e ndryshme terapeutike, ende nuk kanë arritur të na japin një pamje më të qartë për situatën. Sigurisht ka edhe nga ata, të cilët nuk mund të kuptojnë shkaqet e vërteta nga ku burojnë idetë vetëvrasëse. Por, nëna e shkaqeve mbetet depresioni, i cili është një çrregullim i rëndë mendor, që buron nga gjendja e paqëndrueshme emocionale”, thotë punonjësi social në shkollën e mesme “Partizani”, Alban Kano. Kur njerëzit ekspozohen në ngjarje tepër të rënda traumatike, ka nga ata, të cilët me ndjeshmërinë e tyre nuk arrijnë ta përballojnë dhembjen me kurajo. Për ata ka më shumë rëndësi ajo që ka ndodhur, se sa vetvetja. Në këtë pikë, i rëndësishëm është fakti se këta persona mund të kenë vuajtur së tepërmi mungesën e vëmendjes apo respektit nga ana e të tjerëve, qofshin familja apo miqtë e shokët. “Ata, të cilët nuk dinë se si ta pranojnë veten si pasojë e kritikave të tepruara nga të tjerët, shpesh fillojnë e bëhen më të shmangur nga ambienti rrethues. Nuk është asnjëherë e lehtë të gjesh gjuhën e përbashkët për ata që nuk e kuptojnë se ç’është vlerësimi dhe pranimi me të mirat e të këqijat personale. Pa dyshim, kjo mungesë ngrohtësie kaq e fshehtë mund të kthehet në ferr të vërtetë për më të ndjeshmit”, thotë Kano. Dështimet e befasishme akademike në shkollë si dhe ndarja përfundimtare nga partneri ynë më i dashur, do të stamposë një ndjenjë të thellë dëshpërimi në fytyrat e të rinjve. “Po të shohësh me vëmendje ato çfarë ndodhin nëpër ambientet e shkollave të mesme, mund të konstatosh pendesa dhe mosmarrëveshje të jashtëzakonshme midis vajzave dhe djemve që kanë vendosur të lidhen emocionalisht me njëri-tjetrin. Në të tilla raste, humbja e të dashurit personifikohet si me humbjen e vetvetes dhe prandaj pasojat mund të jenë, pse jo, tepër të rënda. Menjëherë fillon ulja e vlerësimit për veten, shprehja e mungesës së shpresës për të ardhmen si dhe inati me veten e të tjerët. Nuk mund të harrojmë këtu edhe sjelljet vetëdëmtuese dhe simptomat fizike në çrregullimet e të ngrënit, pagjumësi dhe dhimbje koke”, thotë Kano.

Shkaqet e depresionit që shkon deri në vetëvrasje:

Një ngjarje e hidhur, tepër traumatike

Abuzime të vazhdueshme fizike apo seksuale

Kritikat e shpeshta me nota të larta ofendimi, përbuzje

Frustracioni (bllokimi i gjithë rrugëve sociale për të arritur qëllimet në jetë)

Dështimet akademike (shkollë apo punë)

Ndarja me dhimbje nga një marrëdhënie intime e pasuksesshme

Shenjat e vetëvrasjes:

Tentativat e mëparshme

Kërcënimet me fjalë për vetëvrasje

Ulja e vlerësimit për veten

Mbledhja e informacionit për mënyrat e vetëvrasjes

Shprehja e mungesës së shpresës, inati me veten dhe të tjerët

Sjellje vetëshkatërruese, vetëdëmtuese

Simptoma fizike si çrregullime të të ngrënit, pagjumësi, dhimbje koke

Grupet e riskuara

Fëmijët

Adoleshentët

Gratë (femrat)

Personat (singëll)

Çdo tip personaliteti mund të kryej aktin e vetëvrasjes

4)Ndërsa, para disa kohësh një studiues me emrin Shneidman ka bërë përpjekje për të realizuar atë që quhet parashikimi i vetëvrasjes. Teza e tij quhet “Skenar vetëvrasës” dhe përfshin këto shkallë, në të cilat individi mund të degjenerojë deri në aktin fatal:

Përjetohet një dhimbje e rëndë psikologjike

Vetëdenigrimi traumatizues

Ndrydhje e mendjes dhe përshkrime jo reale të veprimeve jetësore

Ndjenjë dëshpërimi të pakapërcyeshme

Ndjenjë izolimi, shkëputje nga realiteti

Individi merr një vendim të vetëdijshëm, ku largimi nga gjithçka është e vetmja zgjidhje për t’u larguar nga dhimbja

Si parandalohet vetëvrasja

Ngritja e linjave të këshillimit që nxisin mbështetjen emocionale

Përfshirja në aktivitete të ndryshme (shkollë, punë, sport, argëtim)

Merrini seriozisht fjalët e atyre që shprehin tentativat për vetëvrasje

Kujtoni që sjelljet vetëvrasëse janë kërkesë për ndihmë

Mundohuni të mos e lini vetëm

Pyesni “a ke ide vetëvrasëse?”

Të jesh i gatshëm për të ndihmuar dikë sa më shpejt të jetë e mundur

Dëgjoni me vëmendje

Statistika:

3-5% e individëve janë të vendosur për aktin e vetëvrasjes;

30% janë të pavendosur

2/3 nuk dëshirojnë të vdesin, por vetëm shfaqin gjeste paralajmërimi për familjarët si pasojë e vuajtjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›