E Hënë, 2 Nëntor 2026

Milano, kapen 30 kg drogë, 12 italianë, marokenë e shqiptarë në kërkim

30/04/2005  Policia italiane ka goditur dje edhe një tjetër grup të mirorganizuar të trafikut ndërkombëtar të drogave të forta në qytetin verior, në Milano, ku në përbërje të saj kanë qenë edhe shqiptarë. Sipas mediave italiane, në këtë organizatë të trafikut të heroinës dhe kokainës, janë të përfshirë edhe shqiptarë, të cilët janë shpallur në kërkim. Ka qenë Prokuroria e Milanos ajo që ka urdhëruar 12 fletëarrestet ndaj shtetasve italianë, marokenë dhe disa shqiptarëve. Policia italiane ka njoftuar dje median vendëse se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 30 kilogramë drogë e fortë deri tani në qytetin e Milanos. Gjithashtu, operacioni i policisë italiane vazhdon për ekzekutimin e urdhërarresteve. Sipas mediave italiane, policia e këtij vendi ka pohuar se dyshohet që heroina dhe kokaina të mbërrinte në Milano nga Holanda, e më pas shpërndahej në gjithë qytetet e veriut të Italisë. Operacioni i djeshëm antidrogë i policisë italiane vjen fill një ditë pas atij në Leçe, ku prokuroria kishte urdhëruar arrestimin e 17 personave të akuzuar si pjesëtarë të organizatës mafioze “MAROBITO”, ku ndër ta tre shqiptarë janë nga qyteti i Vlorës.

Kanë qenë të penduarit e “Sakra Korona Unitës“, që me dëshmitë e tyre kanë prerë fletëarrestet për 17 anëtarë të organizatës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve me emrin “MAROBITO“. Rreth 200 karabinierë të pajisur edhe me helikopter e mjete antidrogë, kanë kryer një operacion për ekzekutimin e 17 fletëarresteve. Por, dy nga tre shqiptarët kanë mundur t’u shpëtojnë prangave. Droga dyshohej se vinte nga Turqia dhe kalonte nëpër Shqipëri drejt brigjeve të Italisë. Tre shqiptarët e akuzuar si pjesëtarë të kësaj organizate janë; Lindita Murati 34 vjeçe nga Vlora me rezidencë në Leçe, e arrestuar, bashkëshorti i saj Gëzim Hoxha, 44 vjeç dhe Ermal Mehmeti 29 vjeç, që të dy nga Vlora e të shpallur në kërkim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›