E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla dhe Malaj sërish në grevë: Dalim vetëm pasi të arrijmë transparencën



Deputetët Taulant Balla dhe Arben Malaj i janë rikthyer dje grevës së urisë, pas një shkëputjeje për shkak të vizitës së tyre në Bruksel. Deputeti Balla deklaroi për mediat se janë aty jo vetëm në mbajtje të fjalës së dhënë dhe respektit të madh për kolegët, por për të çuar deri në fund betejën e nisur. "Jam këtu së bashku me kolegun Malaj për t'iu bashkuar grevës së urisë. Greva e urisë është element demokratik sa çdo lloj proteste, por kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë. Ka ndodhur me shumë sukses në vitin '91 dhe ju siguroj që kjo grevë do të ketë po aq sukses", - tha Balla.

Qefaliaj: “Kërkesa e opozitës, vetëm për transparencën e zgjedhjeve”

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefaliaj, deklaroi dje se kërkesa e opozitës është vetëm për transparencë. “Kërkesa është për transparencë. Asnjë lloj rrugë tjetër nuk ka. Ka një vendosmëri absolute për të zbardhur maskaradën e ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Qefaliaj. Ai tha se kryeministri Sali Berisha po përdor “sarkazëm” për të përshkruar grevën e urisë së opozitës dhe nuk po i jep zgjidhje kërkesës për hapjen e kutive. “Theksoj se ne nuk kërkojmë marrjen e pushtetit, por kërkojmë transparencë dhe vetëm transparencë”, - tha Qefaliaj.

Gjermeni: “Rëndohet gjendja shëndetësore e grevistëve”

Paraditja e djeshme i ka gjetur grevistët e urisë me shëndet më të dobët, por gjithnjë të vendosur për të mos u tërhequr përballë vështirësive shëndetësore dhe vuajtjeve fizike. Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, ka shprehur shqetësimin se situata shëndetësore e grevistëve paraqitet më e rënduar, ndonëse ata mbahen me moral shumë të lartë. "Gjendja sa vjen e rëndohet dhe kjo është e kuptueshme. Është shtuar numri i atyre që marrin serume dhe problemet me tensionin, dhimbjet e kokës dhe këputjet trupore janë shtuar", - tha Gjermeni. Sipas saj, të gjithë grevistët mbahen në mbikëqyrje dhe në rastin e parë të përkeqësimit do të shihet mundësia e zëvendësimit të tyre me shumë të tjerë që janë gati të vazhdojnë betejën.

Klodiana Spahiu rikthehet në çadra jo si greviste, por si mjeke

Deputetja Klodiana Spahiu është rikthyer pranë ambienteve të grevistëve në çadrat e vendosura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.
Këtë herë jo si greviste, për të çuar deri në fund kauzën për transparencën e votës, por si mjeke që do të asistojë protestuesit. Deputetja Spahiu u detyrua të ndërpresë grevën për shkak të komplikacioneve që pati në stomak, ku menjëherë u shtrua në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë.

Kreu i Shoqatës së ish-të Përndjekurve, Kurt Kola, mbështet grevën e opozitës

Përfaqësues të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë kanë vizituar dje ambientet ku po zhvillohet greva e urisë. Kryetari i një prej shoqatave të ish-të dënuarve, Kurt Kola, tha se bashkohet moralisht me grevën e përfaqësuesve të opozitës. Ai e ka cilësuar si vazhdimin e betejës për liri dhe demokraci që u bë gjatë 45 viteve nga të dënuarit politikë. Kola u shpreh se ai përfaqëson shoqatën e vërtetë të ish-të përndjekurve dhe se njerëzit që protestuan dy ditë më parë kundër grevës nuk janë ish-të përndjekur. Ai tha se përfaqëson shoqatën e krijuar në vitin 1991.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›