Deputetët grevistë, letër ndërkombëtarëve për transparencën e zgjedhjeve
Partia Socialiste do të përshkallëzojë grevën dhe protestën pa afat
Greva e urisë ka hyrë sot në ditën e shtatë të saj, ndërkohë që nuk po shihet asnjë reagim nga kampi i djathtë për t’i dhënë zgjidhje kauzës së opozitës për transparencën e zgjedhjeve. Në këto kushte, dje, komiteti i grevës së urisë i është drejtuar me një letër të hapur komunitetit ndërkombëtar dhe medias. Në dokumentin e firmosur nga të gjithë pjesëmarrësit në grevë ritheksohet edhe njëherë kërkesa e opozitës për hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti Fatmir Xhafa njoftoi vendimin e mbi 200 grevistëve, mes tyre 22 deputetë të opozitës, për një grevë urie pa afat deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve. Duke akuzuar qeverinë për mosreagim ndaj kërkesave të tyre, Xhafa informoi për përshkallëzimin e grevës së urisë dhe të protestave, të cilat do të zhvillohen në çdo qytet dhe fshat. “Ne kemi hyrë në grevë urie në emër të themelit të çdo demokracie, kërkesa jonë është e thjeshtë, hapje kutish dhe e materialeve zgjedhore. Kërkesa jonë nuk ka për synim marrjen e pushtetit, por që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulimet të mos përsëriten me", - tha Xhafa. Ai u shpreh se qeveria gënjeshtare e Berishës nuk pati vesh të dëgjonte 200 mijë shqiptarët që protestuan për hetimin e zgjedhjeve.
Letra
“Ne, 22 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me 200 bashkëqytetarë, të shqetësuar për fatin e demokracisë në vendin tonë, kemi vendosur të angazhohemi në formën më ekstreme të protestës demokratike, duke hyrë në grevë urie në emër të themelit të çdo demokracie për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa jonë është një kërkesë e thjeshtë dhe demokratike: Hetim parlamentar i plotë dhe i detajuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, që përfshin hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore që gjenden brenda kutive”, - thuhet në letër. Deputetët grevistë theksojnë se beteja e tyre për transparencë ka për synim që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. “Kjo kërkesë e jona nuk ka për synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por ka qëllimin e pastër që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulime si ato të zgjedhjeve të fundit të mos përsëriten më”, - theksohet në letër, duke kujtuar se “për plot nëntë muaj ne jemi përpjekur të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese për transparencë, por përpjekjet tona kanë ndeshur murin e arrogancës dhe kokëfortësisë së një qeverie, veprimet e së cilës nuk i njohin më kornizat e vendosura nga Kushtetuta e Republikës”. Sipas deputetëve grevistë, kjo qeveri nuk pati kurajë për të reaguar ndaj mbështetjes të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për kauzën e transparencës së zgjedhjeve. “Plot 200 mijë shqiptarë protestuan në Tiranë në emër të transparencës së votës së tyre, por sërish qeveria nuk pati vesh për të dëgjuar kërkesat e tyre demokratike”, - thuhet në letër.
Vendimi
Në letrën drejtuar ndërkombëtarëve është vënë në dukje edhe pretendimi i maxhorancës se kutitë nuk mund të hapen për shkak se nuk i lejon vendimi i gjykatës. “Kryeministri Berisha flet për një vendim gjykate që pengon transparencën, por përgjatë dhjetë muajve të fundit ai nuk ka arritur kurrë ta bëjë publik këtë vendim për arsyen e thjeshtë se ky vendim nuk ekziston”, - thuhet në letër, duke shtuar se “ne jemi gjithashtu të shqetësuar se kjo gënjeshtër e Sali Berishës, e ndërtuar në formën e një alibie për të penguar transparencën e zgjedhjeve, fatkeqësisht është besuar edhe nga një pjesë e miqve dhe partnerëve të Shqipërisë. Përballë këtij mohimi të jashtëligjshëm dhe antikushtetues të së drejtës sonë për transparencë, të vetëdijshëm për rëndësinë e kauzës sonë për fatin e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në vend, ne kemi vendosur ta përshkallëzojmë protestën tonë duke hyrë në një grevë urie pa afat, që do të shoqërohet nga protesta në mbrojtje të kësaj kauze në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë”. Grevistët theksojnë se me anë të betejës që kanë ndërmarrë kërkojnë të arrijnë standardin e një vendi demokratik. “Ky vendim nuk ishte i lehtë për t’u marrë dhe në të njëjtën kohë ne jemi të vetëdijshëm për pasojat që ky vendim mbart. Por, sikundër secili prej jush në vendin tuaj, ne nuk mund të sakrifikojmë me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në vendin tonë. Ajo çka ne kërkojmë është një standard që në vendet tuaja konsiderohet normal: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asgjë më shumë. Asgjë më pak”, - theksohet në letër.
6 Maj 2010