Pushteti lokal, arkëtimet vetëm 83%
Kur qeveria është duke ua forcuar kompetencat bashkive dhe komunave në mbledhjen e taksave, këta të fundit nuk po tregojnë seriozitet të plotë për ta bërë një gjë të tillë. Edhe pse mbledhja e detyrimeve për biznesin do të fuqizonte arkën e tyre, njësitë e pushtetit lokal në çdo periudhë të vitit rezultojnë me mangësi në mbledhjen e taksave. Bëhet fjalë konkretisht për dy taksat kryesore që mbledhin bashkitë dhe komunat: tatimi mbi biznesin e vogël dhe tatimin mbi pasuritë, duke përfshirë dhe taksat e tjera lokale (si gjelbërimi etj. Kështu, për 4-mujorin e parë të vitit 2008, pushteti lokal ka mbledhur vetëm 83 për qind të detyrimeve ndaj biznesit ose 900 milionë lekë më pak se plani. Të ndara në zëra, tatimi mbi biznesin e vogël rezulton në rritje, rreth 60 për qind më shumë se plani, ndërsa taksa mbi pasurinë dhe taksat lokale rezultojnë përkatësisht 30 dhe 60 për qind më pak arkëtime.