E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon: Iraku po i largohet greminës

Në Stokholm të Suedisë ka filluar punimet një konferencë ndërkombëtare ku do të vlerësohet përmbushja e një plani 5-vjeçar për rindërtimin e Irakut. Delegatët nga mbi 100 vende të botës po diskutojnë se cili nga objektivat e planit për të cilin u ra dakord një vit më parë është përmbushur deri tani dhe për të planifikuar rrugën përpara. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se pavarësisht nga fakti që shumë irakianë vazhdojnë të vuajnë pasojat e dhunës, atje është shënuar përparim. "Iraku po i largohet greminës, së cilës ne i frikësoheshim më së shumti", tha Ban Ki Moon. Por ai paralajmëroi se situata mbetej delikate. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleca Rajs i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të qëndronte krah Irakut. "Tani që situata e sigurisë po përmirësohet, unë do të shpresoja që komuniteti ndërkombëtar të përshpejtonte përpjekjet për të ndihmuar që Iraku të bëhet shtet i aftë", tha ajo. Kryeministri irakian, Nouri al-Maliki, e ka shfrytëzuar fjalimin e tij në konferencë për të bërë thirrje për anulimin e borxheve të huaja. Iraku u ka mbi 60 miliardë dollarë borxhe kryesisht vendeve arabe të Gjirit Persik. Al-Maliki tha se me qëllim që ekonomia të ngrihej në këmbët e veta, ky borxh duhej anuluar. "Populli irakian ka vuajtur kaq shumë nën diktaturën e shkuar... Irakianët shpresojnë që vendet mike, të anulojnë borxhet që kanë rënduar mbi ta dhe që nuk kanë prodhuar asgjë tjetër, veçse shkatërrim dhe vdekje", tha ai. Korrespondentët në Bagdad thonë se në terren janë arritur përparime, por situata e sigurisë mbetet problematike. "Përparim është bërë për sa i përket financave, ekonomisë, sepse ky vend ka potencial për të qenë shtet. Këtë vit të ardhurat nga nafta ishin të paktën 70 miliardë dollarë. Kjo do të thotë se mund të nisin shumë projekte", thotë ajo. Ushtria amerikane këtë javë tha se dhuna në Irak ka rënë në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit. Por ndërkohë, gjendja e sigurisë ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik. "Kontraktorët ngurrojnë të nisin ndërtimin e rrugëve, kanaleve të ujërave të zeza, gjëra për të cilat njerëzit kanë nevojë në shumë zona", thotë ajo. Në konferencë po ashtu po diskutohet edhe përmbushja e objektivave politike dhe ekonomike të vendosura në planin zhvillimor pesëvjeçar të vendit, në veçanti zbatimi i reformave politike dhe përparimi i arritur në fushën e pajtimit kombëtar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›