E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Ballkani, më i sigurti në Evropë

Një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar të enjten, thotë se Ballkani, një rajon që dikur njihej si një vatër krimesh dhe dhune, është bërë një nga zonat më të sigurta në Evropë. OKB-ja thotë se Ballkani është i sigurt, pavarësisht zemërimit të kohëve të fundit në Serbi, si pasojë e pavarësisë së Kosovës. "Rrethi vicioz i destabilitetit politik që çonte në krim dhe anasjelltas, që kishte shënuar Ballkanin në vitet ‘90-të, është thyer", thotë Antonio Maria Kosta, shef i Zyrës së Drogave dhe Krimeve në Kombet e Bashkuara, që edhe ka hartuar raportin. Gjithsesi, Kosta ka paralajmëruar në parathënien e raportit se rajoni mbetet vulnerabil për shkak të lidhjeve të forta mes biznesit, politikës dhe krimit të organizuar. Shpërbërja e përgjakur e ish-Jugosllavisë, kasaphana më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, la tërë rajonin në kaos, në vitet ‘90-të. Raporti thekson se niveli i krimeve kundër njerëzve dhe pronës, si vrasjet, grabitjet, përdhunimet, sulmet etj., janë tani më të ulëta në Ballkan se sa në Evropën Perëndimore. "Ballkani po lë pas një erë kur demagogët, policia sekrete dhe hajdutët, përfitonin nga sanksionet, trafiku i njerëzve, armët, cigaret dhe droga", thotë raporti, duke iu referuar qartazi ish-Jugosllavisë gjatë sundimit luftënxitës të ish-diktatorit Sllobodan Millosheviç. Krimi i organizuar gjithashtu nuk po konsiderohet më një kërcënim thelbësor, shton raporti, me trafikun e drogës, armëve dhe njerëzve që po njeh rënie në këtë rajon. Gjithsesi, sipas raportit, Ballkani mbetet një zonë transiti për heroinën e destinuar për në Evropën Perëndimore. Rreth 80 tonë heroinë të kontrabanduara nga Lindja e Mesme ose e Largët, besohet se kanë arritur në tregjet e Evropës Perëndimore, duke kaluar nëpërmjet Ballkanit, thekson raporti, duke nënvizuar se të ardhurat që sigurohen nëpërmjet kësaj kontrabande janë shumë më të mëdha se GDP-të në disa vende ballkanike. Tendenca për reduktimin e krimeve pritet të vazhdojë, thekson raporti, sepse në rajon nuk ekzistojnë më faktorët e dikurshëm që çuan në kriminalitet në vende të tjera të botës, varfëria masive, pabarazia në të ardhura, urbanizimi në shpërthim dhe papunësia e lartë mes të rinjve. Gjithsesi, sipas Kombeve të Bashkuara, sfidat mbeten të shumta. Ryshfetet mbeten një problem madhor në Evropën Juglindore ndërsa sundimi i ligjit duhet të fuqizohet akoma më shumë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›