E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i gjobave, shteti mbledh 583 milionë lekë

Vënia në zbatim të ligjit "Për procedurat tatimore", aq shumë i kundërshtuar nga bizneset, po jep frytet e para për arkën e qeverisë. I quajtur ndryshe si "ligji i gjobave" për faktin se detyron bizneset të paguajnë detyrimin tatimor 100 për qind para se të kryejë ankimim, kodi i ri tatimor ka gjeneruar qindra milionë lekë të ardhura. Ministria e Financave ka nxjerrë në dritë të ardhurat që janë krijuar nga zbatimi i ligjit famëkeq, për katër muajt e parë të vitit 2008. Kështu, të dhënat zyrtare tregojnë se për këtë periudhë të vitit, të ardhurat nga gjobat dhe sekuestrimet rezultojnë 583 milionë lekë ose 6,5 milionë dollarë. Konkretisht, të ardhurat shtesë për arkën e shtetit janë krijuar në zbatim të disa neve të ligjit për procedurat tatimore, i cili hyri në fuqi në muajin prill të vitit të kaluar. Përveç rasteve ndëshkuese me gjoba për biznesin, disa nene të ligjit flasin edhe mbi mënyrën e veprimit për bllokimin e mallit për subjektet që nuk paguajnë detyrimet, sipas afateve në ligj. Gjatë shqyrtimit të ligjit, vitin e kaluar, shoqatat e biznesit e kontestuan ashpër përmbajtjen e tij, pasi cenonin qëllimisht të drejtën dhe lirinë e bizneseve për të vepruar në treg të hapur. Ndër nenet më të kundërshtuara është 107, pasi përcaktonte rastet dhe hallkat sesi duhet të veprojë biznesi për të kryer ankesë në strukturat e apelimit. Një ndër kushtet ishte shlyerja e detyrimit tatimor, sipas vlerësimit të inspektorëve, në masën 100 për qind, në mënyrë që biznesit t‘i jepet e drejta që të ankimojë vendimin. Një pikë tjetër e nenit 107, konkretisht pika c, detyronte bizneset që për të vijuar procesin e ankimimit në shkallën e tretë të apelimit (gjykata), duhet të paguante 15 për qindëshin e gjobës. Në të gjitha këto detyrime, biznesi e shikonte veten të diskriminuar, pasi do t‘u duhej të paguanin para edhe pse apelimi nuk e ka dhënë ende vendimin. Kjo situatë ka vijuar për gjatë gjithë vitit 2007, e deri tani, në muajin prill, kur u desh ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar atë pikë të nenit që detyronte biznesin të parapaguante gjobën. Vendimi i Kushtetueses lehtësoi disi pozitat e subjekteve private në vend, por fakti që në ligjin aktual të tatimeve qëndrojnë ende në fuqi disa nene që rëndojnë fort mbi sipërmarrjen e lirë, këto të fundit kanë shprehur shqetësimin se situata mund të përkeqësohet.

Gjobat

Vetëm për periudhën janar-prill 2008, Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, ka siguruar plot 583 milionë lekë të ardhura vetëm nga gjobat që i janë vënë biznesit. Kjo është shifra më e lartë e siguruar ndonjëherë nga strukturat e Ministrisë së Financave, falë zbatimit të ligjit të ri për tatimet. Në fakt, kjo është hera e parë që Financat publikojnë të ardhurat nga gjobat, që pas krijimit të ligjit tatimor, që për bizneset në vend, "nuk është tjetër veçse antikushtetues". Nga shuma totale për katër muajt e parë të vitit, vetëm për prillin janë siguruar rreth 174 milionë lekë, të ardhura nga vendosja e gjobave ndaj biznesit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›