Atak në zemër, priste për vizë në ambasadë
08/06/2005 TIRANË- Viza, radha e gjatë, vapa e stresi "vrasin" një 79-vjeçar nga Tirana. Në orët e mëngjesit të djeshëm, kalimtarët e rastit, policët dhe emigrantët që prisnin për vizë tek ambasada italiane, panë me sytë e tyre se si Masar Lakrani, 79 vjeç, lindur e banues në Tiranë ra në tokë pa ndjenja, për të ndërruar jetë në momentin e nisjes për në spital. Burime nga Qendra Universitare "Nënë Tereza" thanë se, Lakrani ndërroi jetë pas një ataku të fortë në zemër. Sipas mjekëve, ai nuk mund të mbijetonte, pasi gjendja shëndetësore e muajve të fundit, sipas dëshmive të familjarëve, ishte paraqitur tepër kritike. Ndërkaq të pyetur nga gazeta "Metropol", disa nga qindra qytetarët që rrinin në radhë përballë ambasadës italiane, thanë se edhe 79-vjeçari kishte qëndruar bashkë me ta për një kohë të gjatë, ndërsa nuk është sqaruar mirë momenti nëse ai ishte në listën e pajisjes me vizë. Për t’u theksuar është fakti që, sipas të pranishmëve në vendngjarje, uniformat blu, të cilat ndodheshin aty në shërbim, nuk janë afruar për t’i dhënë ndihmën e parë 79-vjeçarit, ndërsa ka qenë këmbëngulja e qytetarëve, të cilët gjetën një makinë të rastit dhe e dërguan të moshuarin në spital.
M.Mullai
M.Mullai