E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lë letër lamtumire, “Ma bëni hallall” dhe var veten në dollap 32-vjeçari

08/06/2005  Motivet ende mister

SHKODER – Larg syve të familjarëve, në dhomën e gjumit, i fsheur brënda dollapit të rrobave, një 32-vjeçar i ka dhënë fund jetës. Si dëshmi për aktin ekstrem ai ka lënë vetëm një copë letër të shkruar turbullt me laps, ku ekspertët kanë mundur që të lexojnë vetëm fjalinë “ma bëni hallall. Kujdes...”, ndërsa pjesa tjetër e letrës së lamtumirës prej 2 rreshtash ishte e palexueshme. Mesi i ditës së djeshme ka shënuar një rast vetëvarjeje në qytetin e Shkodrës. Ka qënë ora 12:00, kur pjesëtarët e familjes Tafa, kanë lajmëruar forcat e policisë për gjetjen e njeriut të tyre të vdekur në shtëpi. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Bujar Tafa, i martuar para dy vitesh, banues në lagjen “Ahmet Haxhia” të qytetit të Shkodrës.

Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, shtetasi Tafa, rreth një orë para gjetjes së tij pa jetë, kishte hyrë në dhomën e gjumit. Një orë pas tij, janë futur në dhomë edhe familjarët, të cilët nuk e kanë parë Bujarin aty brenda. Duke kërkuar dhe thirrur emrin e Bujarit, familjarë kanë hapur dhe raftin e rrobave. Ka qënë pikërisht ky vend, në të cilin Tafa kishte vendosur t’i jepte fund jetës së tij, me anë të një litari që e kishte vendosur në qafë. Pas lajmërimit nga familjarët e tij, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat pas verifikimeve të para të vendit vetëvarjes dhe këqyerjes së viktimës, arritën në konkluzionin se shtetasi Bujar Tafa, ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksimit nga vetëvarja. Nga hetimet e para dhe marrjes në pyetje të familjarëve, nuk është arritur akoma në ndonjë rezultat konkret, për motivet që e kanë shtyrë këtë shtetas të kryejë krimin e vetëvrasjes. Kohët e fundit po vihet re një rritje e rasteve të vetëvrasjeve në rrethin e Shkodrës, akte këto që kanë ardhur për motive nga më të ndryshmet.V. Abdyli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›