E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëhelmohet babai i dy fëmijëve

08/06/2005  Gjergj Kola, 38 vjeç, vdiq në Spitalin Ushtarak, dyshohet për konflikte në familje

TIRANË- I jep fund jetës babai i dy fëmijëve, pasi konsumoi helmin vdekjeprurës të fostoksinës. Në orën 12.00 të dy ditëve më pare, në Spitalin Ushtarak, Gjergj Kolaj 38 vjeç ndërroi jetë, ndërsa rrethanat që kanë çuar në këtë vetëhelmin ende nuk janë sqaruar plotësisht, ndonëse ka disa pista paraprake të grupit hetimor. Burime nga Komisariati numër 5 thanë dje për gazetën, se dyshimet e para për këtë vetëhelmim kanë të bëjnë me disa mosmarrëveshje të 38-vjeçarit me disa nga të afërmit e tij, ndërsa muajt e fundit ai kishte kaluar në një gjendje të theksuar depresive. Sipas policisë, ka qenë gruaja e tij ajo që e ka gjetur thuajse pa jetë bashkëshortin. Më pas është lajmëruar autoambulanca dhe efektivët e policisë, të cilët mbërritën në vendngjarje pas disa minutash. Gjithsesi përpjekjet e bluzave të bardha ishin të kota, pasi helmi kishte depërtuar në gjak dhe Kola ndërroi jetë në orën 12.00. Trupi i tij i pajetë u dërgua më pas në morgun e Tiranës, në të cilin u bënë ekzaminimet e nevojshme.

Shkaqet

Burime nga Komisariati numër 5 thanë se Kola prej disa muajsh kishte kaluar në një gjendje depresive dhe marrëdhëniet e tij me të afërmit ishin ftohur disi. Madje, sipas policisë, ai kishte kaluar në disa mosmarrëveshje me ta, të cilat në shumicën e rasteve ishin tepër të acaruara. Rrethanat që mund të kenë çuar në një acarim të tillë, sipas ekspertëve të policisë, janë edhe shkaqet ekonomike, pasi mësohet se Kola prej disa muajsh ishte i papunë. Ai ishte baba i dy fëmijëve në moshë të njomë, ndërsa edhe bashkëshortja e tij ishte e papunë. Gjithsesi policia po punon gjerësisht për të përcaktuar me saktësi shkakun e vërtetë të këtij vetëhelmimi të radhës.

Ngjarja

Sipas policisë, Gjergj Kola ishte mbyllur në dhomën e tij, aty rreth orës 09.00 të ditës së hënë. Kola banonte në qendër të Kamzës, ku familja e tij ishte shpërngulur prej disa vitesh. Me dy kokrra fostoksinë në duar, 38-vjeçari kishte vendosur t’i jepte fund jetës, pas një gjendjeje të rëndë psikike që po kalonte. Gjysmë ore më vonë, bashkëshortja dhe të afërm të tjerë që kishin shqyer derën, e gjetën atë në gjendje tepër të rëndë dhe e dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, në të cilin ai ndërroi jetë pas dy orësh vuajtjeje.

Vetëvrasjet, fenomeni shqetësues i shqiptarëve

Në të gjithë vendin është shënuar një numër rekord vetëvrasjesh, të cilat kryhen nga mosha e sekse të ndryshme. Një numër të konsiderueshëm të këtyre vetëflijimeve e kanë kryer vajza e djem në moshë të njomë, të cilët lehtësisht janë identifikuar si adhurues të "Dëshmitarëve të Jehovait", ndonëse një 27-vjeçar nga Kombinati, dy javë më pare, ndoqi shembullin e të miturve. Fëmijë nga Pogradeci, Fieri, Tirana e Lushnja, janë gjetur me litar në fyt para disa muajsh. Nga ana tjetër, para një muaji në kryeqytetin shqiptar regjistroheshin dy deri në tre të vetëvrarë në ditë, ndërsa shkaqet ishin të ndryshme. Ato varionin nga shkaqet ekonomike e deri në gjendje depresive. Emigrantë, mekanikë, vajza me histori dashurie, u përcollën në banesat e fundit mes lotëve të familjarëve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›