E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodër, 1 ndër 3 gra shtatzëna aborton

08/06/2005  Kushtet ekonomike, lindjet e shpejta, fëmijët e jashtëligjshëm, arsyet e dështimeve

SHKODER - Spitali Obstetrik-Gjinekologjik, vendi ku nënat ndiejnë gëzimin e sjelljes në jetë të fëmijëve të tyre, përveç lindjeve të shumta dhe të sukseshme, “mban mbi supe” edhe një numër të konsiderueshëm abordesh.

Duke iu referuar statistikave të këtij spitali, vihet re se numri i lindjeve të realizuara gjatë vitit 2004 është fiksuar në shifrën 2413, ndërkohë që po në këtë vit në maternitetin e Shkodrës janë regjistruar 706 aborde ose ndryshe dështime, duke bërë që raporti lindje–dështime të jetë afërsisht 3 me 1, që do të thotë që në çdo 4 shtatzëni, një ka qenë e dështueshme.

Mjekët gjinekologë të këtij spitali, nisur nga eksperienca e gjatë e tyre, shprehen se abordet zakonisht, bëhen për dy lloj motivesh, ato shëndetësore dhe ato të vullnetshme, me kërkesën e vetë shtetaseve. Konkretisht duke iu referuar statistikave të vitit të kaluar burimet spitalore kanë pohuar se, janë regjistruar 579 raste dështimesh për shkaqe shëndetësore dhe 127 raste të tjera si rezultat i kërkesave të shtatzënave.

Pothuajse e njëjta situatë është paraqitur në këtë spital edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, statistikat e të cilit flasin për 571 lindje të sukseshme, ndërkohë që numri i aborteve ishte 154, duke e lënë raportin ndërmjet tyre, në të njëjtat shifra si vitin e kaluar. Shifra 154 e aborteve, përmban në vetvete, numrin 110 të dështimeve të pavullnetshme dhe 44 ndërprerjeve të shtatzënive të kryera me me kërkesën e vetë grave.

Lidhur me abordet me kërkesë, që kryhen në spitalin Obstetrik -Gjinekologjik të Shkodrës, mjeku i këtij spitali Leonard Kçira, njëri nga mjekët më me eksperiencë të maternitetit të këtij qytetit, shprehet se ndërprerjet e shtatzënisë bëhen për arsye të ndryshme. Sipas doktor Kçirës, një ndër motivet që i shtyjnë gratë të dështojnë është të pasurit e dy fëmijëve dhe nuk dëshirojnë të kenë të tjerë, raste këto që, sipas tij, përbëjnë 40% të aborteve me kërkesë. Ndërsa përqindja tjetër, përfshin një grupim me spektër më të gjerë arsyesh. Në këtë grupim, ka sqaruar doktori, bëjnë pjesë femrat në moshë të re, që kanë një fëmijë apo nuk kanë fare, të fejuarat apo të divorcuarat, shtatzënitë me marrëdhënie jashtë martesore, gratë që kanë një shtatzëni të shpejtë pas lindjes së fëmijës së parë.

Edhe mjekët e tjerë të këtij spitali, duke ndarë të njëjtin mendim me kolegun e tyre, Kçira, shtojnë se një moment delikat që shpie në abort janë dhe rastet kur grave shtatzëna iu është dhënë mundësia për të emigruar dhe shtatzënia mund të jetë pengesë për të realizuar mundësinë që i është paraqitur. Por nuk duhet harruar, shprehen ata, që në këtë grupim futen në përqindje të vogël, rreth 5%, edhe adoleshentet 15-16 vjeçe.

Të gjithë mjekët e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik të Shkodrës, e konsiderojnë abordin si një zgjidhje të dëmshme për shëndetin e grave, sidomos atyre të moshave të reja dhe të atyre që e kanë shtatzëninë e parë, pasi rrezikojnë që të mos lindin më.

Viti 2004

2413 lindje 706 aborte

Viti 2005 571 lindje 154 aborte

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›