E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e Muçës, kundërshtohen përgjimet

08/06/2005  TIRANË- Pasi janë dëgjuar bisedat midis dy të pandehurve Dorjan Stafa dhe Besnik Keta, regjistruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë pas arrestimit, janë bërë kundërshtimet përkatëse. Gjatë përgjimeve të pandehurit kanë biseduar me njëri–tjetrin për mënyrën se si janë arrestuar, përse i kanë pyetur në policinë gjyqësore dhe çfarë përgjigje kanë dhënë. Të pandehurit kanë përmendur gjatë bisedave edhe emrin e viktimës Fatos Keta, vëllai i të pandehurit Besnik Keta, për të cilin dyshohej se ishte vrarë nga Taulant Muça. Të pandehurit janë shprehur në bisedë, se policia i ka pyetur për vrasësit e Ketës dhe për shumë gjëra të tjera. Por e gjithë procedura e përgjimeve është kundërshtuar nga ana e avokatëve mbrojtës. Sipas avokatëve, të pandehurit janë përgjuar me procesverbal nga ora 22.00 e mbrëmjes deri në orën 23.00. Ndërkohë urdhri i arrestit nga Prokuroria, tha avokati Ibrahim Lahi, mban orën 24.00 të po të njëjtës datë. Prokurori Altin Dumani tha se ka prova të mjaftueshme për dy të pandehurit, Dorjan Stafa e Besnik Keta. Ata janë sjellë në gjykatë si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Taulant Muçës. Drejtpërdrejtë në këtë lojë është futur Besnik Keta, të cilit Muça i kish vrarë më parë vëllain e tij, Fatos Keta. Por policia, pas vrasjes së Taulant Muçës, i intensifikoi veprimet e saj dhe gjurmët e para e çuan tek Dritan Meanga. Kështu, Meanga, më 31 korrik 1998, arrestohet nga policia si i dyshuari kryesor për vrasjen e Taulant Muçës. Policia kishte një provë të fortë në dorë, që mund të vinte në pranga Meangën. Makina tip "Audi", e gjetur jo shumë larg nga vendi ku u vra Taulant Muça, ishte në pronësi të tij. Në pranga të pandehurit ranë pas zbulimit të gjurmëve të gishtave.

A.Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›