E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdhe Nuhiu: Do të luaj me taka kuqezi në Tiranë

 

Sulmuesi kryesor i U-21 të Austrisë, lojtari me origjinë shqiptare Atdhe Nuhiu (ka mbërritur dje për herë të parë në Shqipëri dhe sot do të luajë në takimin midis Shqipërisë dhe Austrisë) ka pohuar se do të tregojë në fushë sesa i lidhur shpirtërisht është me kombin shqiptar. “Jam shume i gëzuar që vizitoj për herë të parë Shqipërinë. Në të njëjtën kohë ndihem edhe shumë i emocionuar. Janë disa emocione të veçanta që do ti shijoj por fatkeqësisht luaj kundër Kombëtares që e kam origjinën që më vjen shumë keq por ky është futbolli”, ka theksuar Nuhiu në një prononcim për albaniasoccer.
Më tej ai pohon se do të mbartë me vete edhe ai diçka kuqezi. “Për t’i treguar publikut shqiptar se e dua këtë popull dhe e dua këtë origjinë që kam do të vesh këpucë të zeza dhe taka me ngjyrë kuqezi. Shpresoj të kem një mikpritje të mirë në Shqipëri. Përsa i përket takimit ne shkojmë si udhëheqës të grupit dhe do të luftojmë për të fituar. Jemi në formë të mirë dhe i gjithë grupi është përgatitur për këtë takim. Duhet theksuar se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse skuadra e Shqipërisë nuk ka se çfarë të humbasë dhe do të jetë një përballje e fortë”, ka përfunduar Nuhiu, i cili pritet të ketë në stadium rreth 50 tifozë me banderola në mbështetje të tij për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›