Sopranoja Evis Mula fiton audicionin në “La Scala”
alma mile
Ende pa iu gëzuar trofeut të “Marie Kraja”-s, fati i kishte rezervuar një tjetër surprizë sopranos së re Evis Mula. Duket se Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja” ishte një ogur i mirë për këngëtaren, e cila sheh t’i hapen para vetes mundësitë e një karriere ndërkombëtare. Sapo ka fituar një audicion në “La Scala” të Milanos dhe bashkë me të mundësinë e qëndrimit për 6 muaj pranë Akademisë së teatrit më të madh operistik në botë. Natën e fundit të festivalit, kur sopranoja shqiptare fitoi çmimin e parë në “Marie Kraja”, drejtori artistik i teatrit “La Scala”, Luca Targetti, anëtar në jurinë e këtij viti, ftoi zyrtarisht sopranot Evis Mula dhe kosovaren Besa Llugiqi për një audicion në “La Scala”. “Mes këngëtarëve shqiptarë gjeta elementë shumë interesantë dhe të përgatitur”, u shpreh për “Panorama”, Luca Targetti, drejtor artistik i këtij teatri prej 13 vjetësh. “Shqipëria ka qenë gjithnjë një vend interesant për mua, jo vetëm për aktivitetin e “La Scala”-s, por edhe të akademisë sonë”, tha ai. Meqë audicioni zhvillohej këto ditë ndaj, vetëm dy ditë pas festivalit, Mula fluturoi drejt Milanos. Dhe pas audicionit ka mbërritur lajmi se shqiptarja ka fituar. Evis Mula ka merituar kështu të drejtën për të ndjekur për gjashtë muaj Akademinë e famshme të “La Scala”-s. Çka nuk nënkupton vetëm leksione, por edhe interpretime rolesh në skenën aq të lakmuar për artistë të nivelit botëror. Pas kësaj, nëse gjithçka ecën mbarë, Evisin e pret edhe një shkollë dyvjeçare në Akademinë e njohur. Mjafton sigla e “La Scala”-s dhe gjithçka do të jetë më e lehtë për këngëtaren. “Kur fillova studimet e para në moshën 15-vjeçare për kanto isha krejtësisht e pandërgjegjshme jo vetëm për vokalin që kisha, por edhe për llojin e shkollës që do të studioja. Në vitet e para të shkollës së mesme, qëllimi im ishte që të merrja një formim bazë muzikor, por ndodhi që gjatë rrugës u njoha me repertorin e mrekullueshëm lirik dhe me literaturën klasike operistike. Sigurisht që kjo dashuri e re nuk qe rastësore, prapa saj fshihet pedagogia ime e kantos në të këto 7–vjet, Nina Mula. Kështu kantoja lirike në vitet që do të pasonin do të bëhej një nga sfidat dhe ambiciet e mia më serioze, duke lënë gjithnjë e më pak kohë për angazhimet në muzikën e lehtë e duke i rezervuar një kohë më të gjatë synimit për të përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet e larta për kanto”, do të thoshte Evis Mula gjatë ditëve të festivalit. Dhe duket se kjo ishte zgjedhja e duhur. Por siç do të thoshte Targetti: “Duhet që dikush të ketë talent, por edhe një kokë mbi supe për të ngritur një karrierë dhe sigurisht shumë fat”. Dhe Evis Mula nuk ta kapë fatin për flokësh e nuk duhet ta lërë t’i shpëtojë ky shans, i mundësuar nga festivali “Marie Kraja”. Një festival që tashmë ka hyrë në axhendën ndërkombëtare të aktiviteteve operistikë dhe që përgjatë dhjetë viteve të zhvillimit të tij ka gdhendur emrat e shumë artistëve, që sot kanë fituar famë në mbarë botën e që fillimet i kanë pasur pikërisht aty. Sot interpretojnë në skenat më të rëndësishme botërore, që nga “Metropolitan” i Nju Jorkut, “La Scala”, Opera e Vjenës, Barcelonës, etj. E këta nuk janë vetëm shqiptarë, si Josif Gjipali, Orjana Kurteshi, Marjana Leka, Erjona Gjyzeli, por dhe italianë, belgë, koreanë, etj., si Vincenso Taormina, Simone Piaçola, Hyoung Kong, etj. Skena shqiptare do të mbetet për ta si starti i karrierave të tyre të suksesshme botërore. E njëjta gjë vlen edhe për fituesen e këtij viti.