E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimi i pllakave të 1677 shtyn punimet

 

Shtyhen edhe për katër muaj të tjera, punimet përfunduese në banesën e Kadaresë. Shkak për këtë vonesë për dorëzimin e plotë të shtëpisë së rikonstruktuar është bërë një pllakë me të dhëna tipologjike, me dy mbishkrime, në gjuhën turke. Në këtë pllakë e cila daton në vitin 1677, si dhe skica të tjera në mure që vërtetojnë vjetërsinë e ndërtesës të zbuluara rastësisht dy vjet më parë gjatë fazës së parë të rikonstruksionit të banesës dykatëshe, detyroi organizatën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, të nisë disa ditë më parë fazën e dytë përmbyllëse të punimeve me katër muaj vonesë. Rehabilitimi që do të përfshijë pjesën anësore të shtëpisë, si dhe përmbylljen e të gjitha punimeve të brendshme, pritet të realizohet me fondin prej 80 mijë euro, të përfshira brenda shumës 1.2 milionë USD akorduar nga qeveria shqiptare të administruara prej UNESCO-s. Pas përmbylljes së prokurimeve nga dega e organizatës UNESCO në Venezia (Itali), firma fituese e tenderit ndërkombëtar “Proinvest”, ka nisur në terren zbatimin e projektit për të rikonstrukturuar plotësisht ambientet e brendshme të shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare dhe brenda gjashtë muajve nga afati përfundimtar, shtëpia karakteristike monument kulture i kategorisë së dytë, do të shndërrohet në një qendër shumë funksionale dhe sipas të dhënave ajo mund të shërbejë si pikë pelegrinazhi për shkrimtarë e admirues të Kadaresë nga vendi e bota. Sipas inxhinierit zbatues të firmës “Proinvest” Agron Doraci, ndryshe nga faza e parë e cila filloi në shtatorin e 2007-ës me fondin prej 10 milionë lekësh, në fazën e dytë është parashikuar të ruhen të gjitha detajet që janë zbuluar gjatë rimëkëmbjes së banesës. Gjatë fazës së parë u zbuluan rastësisht disa “afreske” të rëndësishme që vërtetojnë historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore. Këto elementë detyruan komisionerët e UNESCO-s të ndërprisnin punimet, duke i dhënë kohë të ndryshojnë projektin fillestar, është shprehur Doraci për gazetën “Panorama”. Sipas tij një tjetër zbulim me rëndësi që ka dalë në dritë gjatë punimeve të fazës së parë, është pllaka tipologjike. Prej shekujsh në kollonën e majtë të portës kryesore në shtëpinë e Kadaresë, qëndronte ky objekt i rrallë, por zbulimi u evidentua në fillim të vitit 2007 duke e informuar për këtë edhe shkrimtarin gjatë vizitës së tij të fundit që zhvilloi një vit më parë në Gjirokastër. Shtëpia e Ismail Kadaresë ndodhet në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës, në pjesën e sipërme të qytetit. Në nëntor të vitit 1999 si pasojë e një zjarri aksidental, banesa u shkrumbua nga flakët dhe në atë kohë në të jetonin me qera prej dy dekadash dy familje gjirokastrite.              p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›