Taçi, 2 mln euro për Realin
Rezart Taçi do të paguajë 2 milionë euro klubit të Real Madrid që këta të fundit të vijnë më 21 dhjetor në Tiranë në kuadrin e turneut “Albania Readers 3”.Lajmi është bërë i ditur dje nga uebsajti goal.com në version spanjoll, i cili i referohej një deklarate të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez. Që “los galactikos” të shkelin në tokën shqiptare, biznesmenit Rezart Taçi do t’i duhet të nxjerrë nga xhepat rreth 2 milionë euro. Por nga ana e tij, mësohet se Taçi ka vënë si kusht kryesor që Reali të vijë në Tiranë me të gjithë armatën e tij. Pra, nuk do të mungojnë asnjë prej yjeve të kësaj skuadre duke filluar që nga legjendari Raul e deri tek treshja e merkatos së kësaj vere, Kaka-Kristiano Ronaldo-Benzema.
Veç tyre nuk do të mungojnë edhe Kampionët e Evropës, Iker Kasijas, njëkohësisht zëvendës/kapiten i Realit të Madridit, Serxhio Ramos, Ksabi Alonso, Alvaro Arbeloa, argjentinasit Fernando Gago e Gonzales Higuain, francezi, Karim Benzema, si dhe holandezët, Rojston Drente, Rud van Nistelroi dhe Rafael van der Vart. Prej këtyre ka nga ata që nuk e kanë për herë të parë tokën shqiptare, madje kënë ardhur jo më larg se disa muaj më parë. Braziliani Kaka ka qenë në Shqipëri këtë vit me Milanin ku edhe luajti për disa minuta në pjesën e dytë të takimit. Ndërsa portugezët, Kristiano Ronaldo dhe mbrojtësi Pepe kanë qenë si pjesëtarë të skuadrës portugeze me të cilën u përballën kuqezinjtë e Josip Kuzhesë më 6 qershor të këtij viti. Ndërsa holandezët Rud Van Nistelroi dhe Rafael van der Vart kanë qenë në Shqipëri më 12 shtator të 2007-ës për të luajtur ndaj skuadrës përfaqësuese shqiptare e cila drejtohej nga Oto Bariç. Ajo ka qenë një nga ndeshjet më të bukura të Shqipërisë, e përfunduar në favor të “tulipanëve” të Marko Van Bastenit, falë një goli pikërisht të Rud Van Nisteroit. Ky i fundit ndëshkoi gardianin e portës sonë, Arian Beqaj në minutën e fundit shtesë të takimit. Me kuriozitet priten të shihen në tapetin e “Qemal Stafës” lojtarë si Raul e Alonso, të cilën vijnë për herë të parë në Shqipëri. Gjithashtu mësohet se edhe nëse Reali do të ketë futbollistë të dëmtuar sipas kontratës që është bërë nga Taçi me Perez, ata (lojtarët) do të vijnë në Shqipëri por mund edhe të mos aktivizohen (rasti Bekam në ndeshjen e fundit me Milanin).